Diskutimi i Ebu Hanifes me dijetarin bizantin

Në shekujt e parë të Islamit, ishin të shpeshta rastet që zhvilloheshin diskutime të hapura ndërmjet intelektualëve muslimanë dhe jomuslimanë. Një diskutim i  tillë ka ndodhur midis Ebu Hanifes dhe një intelektuali bizantin, në Kufe.

Kalifi i asokohe i ftoi dijetarët më të shquar myslimanë që të hynin në diksutim me dijetarin bizantin, por ata të gjithë ngurruan, përveç Ebu Hanifes.
Diskutimet në ato kohë ishin të hapura për të gjithë, kështu që edhe pjesëmarrësit ishin të shumtë. Kur Ebu Hanife hyri në sallën e përgatitur për dialog, vuri re se dijetari bizantin ishte ulur në një lloj minberi, i cili ishte vetem për njerëzit shumë të ditur e të mëdhenj.
Ebu Hanife i afrohet dhe e pyet:
-A keni ardhur ju për të pyetur?
Ai iu pergjigj:
-Po!
Atëherë Ebu Hanifja i tha të zbriste nga ai vend, sepse ai vend ishte vetëm për ata prej të cilëve kërkohej zgjidhje dhe përgjigje, e jo për ata që drejtonin pyetjet! Dijetari bizantin, pa koment, pranoi  dhe, kur imam Ebu Hanife zuri atë vend, filloi me pyetjen e parë.
– Ç’ka ekzistuar para Zotit ?! – ishte pyetja e parë e dijetarit bizantin.
Ebu Hanife, në vend të përgjigjes, i bëri pyetje:
– A kuptoni ju gjësendi nga matematika?!
Ai iu përgjigj i çuditur :
– Po, normale që kuptoj!
Ebu Hanife e pyeti përsëri:
– A ka ndonjë numër para numrit një?
Dijetari bizantin u përgjigj:
– Jo. Ai është i pari dhe para tij nuk ka asgjë.
Atëherë Ebu Hanife i përgjigjet:
– Nëse para numrit një nuk ka asgjë, atëherë si do të ketë diçka para Allahut Një, të Vetmit!
Dijetari i drejtoi pyetjen e dytë:
– Ku gjendet Zoti, në cilin vend dhe në cilën anë?
Ebu Hanife përsëri e pyeti:
– Më thoni, kur ndizni një qiri, ne ç’anë hedh dritë ai?
Bizantini u përgjigj:
– Në të gjitha anët në mënyrë të barabartë.
Ebu Hanife, atëherë iu përgjigj:
– Nëse për një qiri, të cilin e ka prodhuar një rob i Allahut, nuk mund të përcaktoni një anë në të cilën shkon drita, si mund të përcaktojmë atëherë një vend apo drejtim të caktuar për Krijuesin e qiellit, të Tokës dhe të gjithçkaje tjetër?!
Pastaj dijetari bizantin shtroi pyetjen e tretë:
– Çfarë po bën Zoti tani?
Ebu Hanife iu përgjigj i qetë:
– I zbret nga minberi ata që mendojnë se dinë gjithçka, dhe ua ngre famën besimtarëve modestë.

Pin It