Dorëshkrimet e vjetra të Kuranit


Dorëshkrimet e para të Kuranit kanë qenë shkruar mbi lëkura kafshësh. Ne dimë se në kohën e Profetit (a.s.), pjesë të ndryshme të Kuranit kanë qenë shkruar mbi gjthfarë materialesh, si: degë palmash, lëkura dhe kocka kafshësh, trungje drurësh etj., kurse boja prodhohej duke përpunuar blozën.

Megjithëse shkrimi nuk ishte dhe aq i përhapur, arabët e kanë njohur atë që nga epoka parahistorike. Shkrimi i përdorur në kohën e Profetit Muhamed (a.s.) (shekulli VII), ka qenë i përbërë nga simbole krejt të thjeshtë, të cilët shënonin vetëm format bashkëtingëllore të një fjale, duke lënë kështu shumë moskuptime. Pastaj të gjithë tekstet e vjetra të shkruara të Kuranit nuk përdornin fare shenja diakritike (pikat që vendosen në shkronjat arabe për t’i dalluar nga njëra-tjetra) dhe as zanore. Asnjë kapitull nuk i ndante suret, asnjë shenjë ndarjeje qoftë edhe fare e vogël nuk e tregonte fundin e vargut.

Pjesa më e madhe e dorëshkrimeve origjinale të Kuranit, qoftë ky në fragmente apo dhe në tërësi, janë bërë më vonë nga shekulli i dytë pas Hixhretit (emigrimi i Profetit a.s. nga Meka në Medine). Kopja më e vjetër e ekspozuar në Muzeun Britanik në vitin 1976 në kuadrin e Festivalit Botëror të Islamit, mban datën e shek. II hixhri. Megjithatë, fragmente të ndryshëm të pergamenit të shpërndara mbajnë datën e shekullit të parë pas Hixhretit. Biblioteka Kombëtare e Egjiptit ka një kopje të Kuranit të bërë mbi një pergamen lëkure gazeleje që mban datën 68 hixhri/688, që do të thotë 58 vjet pasi kishte ndërruar jetë Profeti (a.s.).

Burimi: Hasan I. Nahi, “Kurani i Madhërishëm“, shtëpia botuese: MILENIUM I RI, Tiranë 2006, fq. 28.

Pin It