E meta që sjellë dobi…

Një kopshtar kishte dy enë uji, secilën të varur në dy skajet e një shufre që mbante të mbështetur në qafë.

Njëra nga enët kishte një çarje, ndërsa ena tjetër ishte e përkryer, pa asnjë defekt dhe e çonte gjithmonë ujin të plotë deri në shtëpi. Në fundin e rrugës nga burimi për në shtëpi ena e plasaritur sillte vetëm gjysmën e ujit.

Për dy vite rresht, kjo gjë vazhdoi çdo ditë. Kopshtari shkonte në shtëpinë e tij me njërën enë plot me ujë dhe tjetrën gjysmë të mbushur. Natyrisht ena pa defekt ishte krenare për veten, ndërsa ajo e plasaritur ndihej e turpëruar.

Pas dy vitesh, ena e plasaritur iu drejtua kopshtarit: “Më vjen turp nga vetja, sepse kjo plasaritje që kam më bën të derdh ujin gjatë gjithë rrugës.”
Kopshtari ia kthen: “A e vure re se kishte lule vetëm në anën tënde të rrugës gjatë kthimit? Sepse unë e kam ditur gjithmonë të metën tënde dhe kam mbjellë fara lulesh në anën tënde dhe ti çdo ditë i ke ujitur ato. Dhe unë këto dy vjet me këto lule kam dekoruar tryezën, duke i dhënë jetë shtëpisë time.”

 

Pin It