Ekspozita “Transparent Travel”, bashkon në Tiranë artistët ndërkombëtarë

“Transparent Travel” ekspozitë e një grupi artistësh me prejardhje të ndryshme ndërkombëtare, të cilët jetojnë dhe punojnë në Kanada, SHBA, Itali u çel për publikun kryeqytetas në Galerinë FAB .

Në këtë ekspozitë, valixhet transparente janë objektet kryesore të interesit dhe të frymëzimit që përfaqësojnë udhëtimin. I konceptuar nga The Two Gullivers (Besnik Haxhillari dhe Flutura Preka) të cilët janë frymëzuar nga vepra e njohur e Marcel Duchamp Boite-en-valise (1935, një valixhe që funksiononte si një arkivë portative e kopjeve të veprave të artit dhe shënimeve të procesit të Duchamp), The Two Gullivers kanë konceptuar një valixhe transparente në në të cilin bagazhi është bërë objekt dyshimi që i nënshtrohet kontrolleve strikte.

 

The Two Gullivers kanë udhëtuar dhe kanë realizuar performanca me këtë valixhe plastike transparente që nga viti 2004 dhe në vazhdim gjatë Bienales së Venecies në 2013. Për edicionin e 2015 dhe të 2017, ata ftuan artistë të tjerë për t’u bashkuar me udhëtimin e tyre performativ po në Venecie dhe në paralel me bienalen e saj të artit bashkëkohor.

Objektet dhe dokumentacioni nga këto evenimente janë konceptuar për dy lloj publiku: për ata që nuk janë të vetëdijshëm që janë dëshmitarë të performancës, dhe për ata që janë të ftuar për të marrë pjesë në realizimin e saj.

 

Theksi i ekspozitës është performancë nga The Two Gullivers, La Reprise (në shqip : Rimarrja), e frymëzuar nga John Cage, Allan Kaproë, Bruce Nauman, Vito Acconci, Marina Abramoviç dhe Ulay dhe që do të përfshijnë studentë nga Fakulteti i Arteve të Bukura (Universiteti i Arteve, Tiranë). Artistët pjesëmarrës me punët e tyre janë Duo AZed (Aimé Zayed & France Arseneault), Philippe Boissonnet, Lorraine Beaulieu, Mylene Gervais, Louis-Pierre Clement, Olivier Ricard, Vessna Perouvonic, Boja Vasic, The Two Gullivers, Helidon Gjergji, Iva Lulashi. Ky eveniment është realizuar me mbështetjen e grupit te kërkimeve URAV (Groupe Universitaire de Recherche en Arts Visuels, Universite du Quebec a Trois-Rivieres, (QC) Canada), në bashkëpunim me Fakultetin e Arteve të Bukura (Universiteti i Arteve, Tiranë).

Ekspozita “Transparent Travel” do të vazhdoj të qëndroj e hapur për publikun deri më 11 maj./ATA/

Pin It