“Fake News, problem i medias apo i demokracisë?”

Departamenti i Shkencave të Komunikimit pranë Kolegjit Universitar “Bedër” organizoi workshopin me temë: “Fake News, problem i medias apo i demokracisë?”

Në këtë workshop morën pjesë Ambasadori i Prezencës së OSBE në Shqipëri, z. Bernd Borchardt, Kryetari i Unionit të Gazetarëve, z. Aleksandër Çipa, përfaqësues dhe studiues së medias, përfaqësues së zyrave të PR-it dhe studentë të komunikimit dhe gazetarisë.

Aktivitetin e hapi përgjegjësi i Departamentit të Shkencave të Komunikimit, Dr. Erlis Çela, i cili u shpreh se tradita e organizimit të workshop-it është e përvitshme dhe synon të trajtojë tema koherente me rëndësi për fushën e medias dhe komunikimit. Në lidhje me zgjedhjen e temës për këtë vit, Dr. Çela tha se “fake news”, një term që mori fame pas zgjedhjeve presidenciale në Amerikë, nuk është vetëm një dukuri që përmendet ne rrethet e gazetarëve por tashmë është një fenomen që ka tërhequr edhe vëmendjen e studiuesve të medias dhe audiencës.

Më pas fjalën e mori Rektori i Kolegjit Universitar Bedër, Prof. Dr. Ferdinand Gjana, i cili u shpreh se mundësitë e aksesimit po përdoren gjithnjë e më shumë nga qytetarët për të publikuar informacione në internet, ku shpërndarja në këto rrjete mund të ketë nuanca të ndryshme, duke nisur nga qasjet pozitive, si mbështetjet sociale për ndihmë deri në prodhimin e përmbajtjeve keqinformuese dhe komenteve paragjykuese. Prandaj, sipas tij, organizime të këtij formati janë të rëndësishme, pasi diskutojnë rreth mënyrave të zhvillimit të shëndetshëm të fjalës së lirë, duke u nisur edhe nga roli kritik që profesionistët e fushës së medias kanë.

Ambasadori i prezencës së OSBE në Shqipëri, z. Bernd Borchardt deklaroi se fenomeni i lajmit të rremë ka ekzistuar që në kohët e hershme, por tashmë me zhvillimin teknologjik, ndikimet e tij janë më të dukshme. Ai u shpreh se personat që preken drejtpërdrejtë nga ky fenomen, i vuajnë më shumë pasojat, ku përmendi edhe një rast personal se si emri i tij ishte bërë pjesë e dukurisë së lajmit të rremë. Si zgjidhje Z. Borchard sugjeroi verifikimin e fakteve përpara publikimit të lajmeve, fuqizimin e komunitetit të profesionistëve të medias, edukimin mediatik dhe më shumë liri për median.

Më pas fjalën e morën përfaqësues e studiues të medias, si Mark Marku, Shef i Departamentit të Gazetarisë dhe Komunikimit në Universitetin e Tiranës, Fatos Hakorja, Roland Zili, Roland Qafoku, Pandi Gjata, Llazar Semini, të cilët ku shprehën se “fake news” përbën një rrezik, jo vetëm për median, por edhe për thelbin e demokracisë. Drejtuesit e mediave dhe gazetarët e pranishëm, ofruan si zgjidhje edukimin mediatik të audiencave, kontrollin e burimeve të lajmit përpara publikimit, si dhe një rikthim te vlerat deontologjike dhe profesionale të gazetarisë.

Përfaqësueset e zyrave të marrëdhënieve me publikun nga agjenci dhe institucione të ndryshme, si Eva Kushova dhe Elda Gjoka, u shprehën se në këtë fenomen individi është më i pambrojturi, pasi media mund të ketë në dorë vetërregullimin dhe të administrojë më mirë fjalën e lirë.

Përgjatë workshop-it u ngritën diskutime të rëndësishme, të cilat sollën perspektiva plotësuese në lidhje me fenomenin në lajmit të rremë.

Pin It