Festivali i 12-të i Muzikës së Dhomës, tre sonata nga instrumentistët italianë

Edicioni i 12-të i Festivalit të Muzikës së Dhomës ka nisur mbrëmjen e kaluar me koncertin e dy instrumentistëve të rinj italianë. Antonio Meriçi në violinçel dhe Sebastiano Mesaglio në piano kanë fituar admirimin e dëgjuesve, falë teknikës së interpretimit dhe repertorit të përzgjedhur me kujdes.

Në fillim të koncertit organizatorja e festivalit Nevila Kalaja, përshëndeti pjesëmarrësit e këtij edicioni, ndërsa bëri të ditur se tre sonatat e kompozitorëve Claude Debussy (1862-1918), Alfredo Casella (1883-1947) dhe Dmitri Shostakovich (1906-1975), të përzgjedhura nga koncertistët, interpretohen premierë në vendin tonë.

Dy artistët nga Udine (Itali) kanë një karrierë të pasur që përfshin jo vetëm vendin e tyre, por edhe Gjermaninë, Austrinë, Slloveninë, etj.

Muzeu Arkeologjik i Durrësit është kthyer në një skenë artistike të përvitshme për artistët e muzikës klasike. Ky edicion parashikon edhe gjashtë koncerte të tjera. Koncerti i radhës do të sjellë përballë dëgjuesve dy instrumentistë nga Greqia./ATA/

Pin It