Filmi “Glory” triumfon në TIFF 2017

Filmi “Glory” një produksion greko bullgar,  ka marrë trofeun e filmit më të mirë artistik në edicionin e 15-të të Tirana International Film Festival.

Filmi me regji nga Kristina Grozeva dhe Petar Valchanov, është një fabul sociale, realiste që eksploron temën e korrupsionit, ndryshimet klasore dhe ndarjen ruralo- urbane në shoqërinë bashkëkohore bullgare. Gjithashtu ky film rrëmbeu edhe çmimin e jurisë së medias.

Mbrëmja e ndarjes së çmimeve u zhvillua mbrëmjen e djeshme në kinema ‘Agimi’ ku për 9 ditë dashamirësit e kinemasë kanë mundur të ndjekin mbi 250 filma nga gjithë bota.

Regjisori më i mirë i këtij edicioni është shpallur Gentian Koçi për filmin “Dita zë fill” në këmbë të të cilit trofeun e tërhoqi aktorja Adele Gjoka. Ajo gjatë marrjes së çmimit u shpreh se ,“ndjehem me fat dhe e lumtur që jam pjesë e kësaj pune shumë dinjitoze dhe e bërë me shumë përkushtim dhe shumë dashuri, dhe në emër të Gentit shumë faleminderit” tha aktorja Gjoka.

Çmimi për skenarin më të mirë shkoi për regjisorin nga Kosova, Edon Rizvanolli dhe filmin “T’padashtun” për ndërthurjen e veçantë ndërmjet dëshirës për të krijuar të ardhmen, përballë një të kaluare që e mban peng.

Dritan Krapi, producent shprehu falenderimin e tij ku tha se, “këtë film e kemi bërë me shumë dashuri dhe përkushtim pavarësisht buxhetit” tha ai ndërsa falenderoi edhe Qendrën Kinematorgrafike të Kosovës për mbështetjen.

Ndërsa filmi më i mirë i shkurtër u përzgjodh filmi “Home” nga regjisorja e re nga Kosova More Raca. Filmi më mirë i shkurtër në garën ndërkombëtare u përzgjodh filmi Retouch nga regjisori iranian Kaveh Mazaheri.
Dokumentari më i mirë u shpall “On the Edge of Life” nga regjisori sirian Yaser Kassab me motivimin, një rrëfim personal tepër prekës mbi dhimbjen dhe shpërnguljen, në një ekzistencë të mbetur pezull. /ATA/

Pin It