Filmi ”Tomka dhe shokët e tij” në Jewish Jerusalem Film Festival

Në kuadrin e Jewish Jerusalem Film Festival, mbrëmjen e djeshme u shfaq filmi i autores së mirënjohur shqiptare Xhanfise Keko “Tomka dhe shokët e tij” prodhim i vitit 1977.

Skenari është shkruar nga Nasho Jorgaqi, muzika Aleksandër Lalo, dirigjent Ferdinand Deda.

Në qendër të filmit Tomka është një djalë i vogël që i pëlqen të luajë me top së bashku me shokët e tij. Por fushën e futbollit e marrin nazistët që kanë hyrë në qytet. Tomka nën kujdesin e të rriturve fillon të organizojë aksione kundër kampit ushtarak që ka zënë fushën e tyre të dikurshme të lojës.

Këtë vit Jerusalem Jewish Film Festival, zhvillon edicionin e 18 dhe zhvillohet nga data 16 – 21 dhjetor.

Më 22 dhjetor 2017 mbushen dhjetë vjet që regjisorja Xhanfise Keko (Artiste e Popullit) u nda nga jeta. E njohur si një ndër gjashtë krijuesit e parë që u specializuan në ish Bashkim Sovjetik, Xhanfise Keko e nisi punën ditën e inaugurimit të Kinostudios “Shqipëria e Re” më 10 korrik 1952 si montazhiere.

Për njëzetë vjet ajo kontribuoi në këtë fushë duke montuar dhjetëra kinoditarë, kinoreportazhe, filma dokumentarë e filma artistikë dhe me eksperiencën e saj përgatiti kuadrot e para në këtë fushë. Po në këtë periudhë, fillimisht në krah të regjisorit Endri Keko e më pas në mënyrë të pavarur, realizoi si regjisore edhe mjaft filma dokumentarë ku shquajnë për këndvështrimin dhe vërtetësinë veçanërisht ata me temën e fëmijëve “Tingujt dhe fëmijët”, “A, B, C… Zh” dhe “Para shfaqjes”. Ishte pritja shumë e ngrohtë e këtyre filmave nga publiku, ajo që vendosi përfundimisht rrugën në të cilën do të ecte regjisorja Xhanfise Keko. Nga viti 1972 deri në vitin 1984, ajo do të realizonte njëmbëdhjetë filma, të gjithë kushtuar botës së fëmijëve. Njëri më interesant se tjetri. Njëri më i veçantë se tjetri. Njëri më i bukur se tjetri.

Kujtojmë këtu filmat për fëmijë “Kryengritje në pallat”, “Mimoza llastica”, “Qyteti më i ri në botë”, “Tingujt e luftës”, “Tomka dhe shokët e tij”, “Pas gjurmëve”, “Partizani i vogël Velo” e “Një vonesë e vogël” si dhe ata për fëmijë e të rritur “Beni ecën vetë”, “Kur xhirohej një film” e “Taulanti kërkon një motër”. Të gjithë të mirëpritur nga publiku shqiptar. Por, edhe ai i huaj në aktivitete ndërkombëtare e të vlerësuar me çmime speciale në festivale ndërkombëtare si “Beni ecën vetë”, “Pas gjurmëve” e “Kur xhirohej një film”./Ata/

 

Pin It