Fjala e dhënë s’njeh distancë…

Transmetohet nga Ebu Hurejra (r.a): “Një burrë nga beni israilët i kërkoi borxh një burri tjetër po nga beni israilët, një mijë dinar. Burri (që do ti jepte borxhin) i thotë: Më sill dëshmitarë! Ai i thotë: Mjafton Allahu si dëshmitar. Burri i thotë: Më sill një ndërmjetës! Ai i thotë: Mjafton Allahu si ndërmjetës. Burri i thotë: Ke të drejtë! Dhe i jep shumën e kërkuar për një afat të caktuar.

Ai mori paratë dhe lundroi në det për tregti derisa kreu nevojën e tij. Më pas kur erdhi koha e shlyerjes së borxhit doli për të gjetur një mjet lundrimi dhe nuk gjeti. Ai mori një copë dru, e gërreu nga brenda, futi në të dinarët dhe një letër për shokun e tij, e mbylli mirë atë dhe pastaj shkoi pranë detit dhe iu lut Allahut: “O Allah! Ti e di se unë i kam marrë borxh filanit një mijë dinarë dhe ai kur më kërkoi një ndërmjetës, unë i thashë se mjafton Allahu si ndërmjetës dhe kur më kërkoi dëshmitar, i thashë se mjafton Allahu si dëshmitar dhe kështu ai pranoi që të jesh ti. Unë u mundova të gjej një mjet lundrimi për t’i kthyer paratë e tij, por nuk arrita dot dhe tani po t’i lë amanet ty!”

Ai e futi drurin në det derisa u mbulua nga uji pastaj u largua për të gjetur një mjet lundrimi për të shkuar në vendin e atij që kishte për t’i dhënë borxhin. Ndërkohë nga ana tjetër e detit del burri që i kishte dhënë borxhin për të parë nëse ndonjë mjet lundrimi ka mbërritur për t’i sjellë paratë e tij dhe gjen këtë dru i cili kishte paratë dhe e merr për dru zjarri për shtëpinë e tij. Kur e çau drurin, gjeti paratë dhe letrën. Pastaj mbërrin burri që i kishte marrë borxh, i sjell një mijë dinarë dhe i thotë: “Pasha Allahun, jam munduar shumë për të gjetur një mjet lundrimi për të sjellë paratë e tua dhe nuk kam gjetur mjet lundrimi para këtij që erdha.” Burri i thotë: “A mos më ke dërguar ndonjë gjë?” Ai i thotë: “Të thashë se nuk kam gjetur mjet lundrimi para këtij që erdha!” Por burri që kishte dhënë borxhin i thotë: “Allahu ta ka shlyer borxhin me ato para që ke dërguar në atë dru dhe kështu ai u largua i qetë” [Buhariu].

Pin It