Fjala e mirë si pema e mirë!

Një perandor deklaroi se kushdo që i thoshte një fjalë të mirë, do e shpërblente me 400 dinarë. Një ditë teksa po ecte nëpër qytet i shoqëruar nga eskorta e vet madhështore, sheh një të moshuar, diku tek të nëntëdhjetat, duke mbjellë një pemë ulliri. Ai qëndroi dhe e pyeti të moshuarin: “Përse e mbjell këtë pemë, ndërkohë që ajo nuk do të japë fruta veçse pas njëzet e ca vitesh?! Ti je nëntëdhjetë vjeçar dhe është e pamundur t’i shijosh frutat e saj.”

Bujku i moshuar ia ktheu: “Sot, ne korrim dhe vjelim ato që patën mbjellë të parët tanë. Kështu, më duhet të mbjell, që të korrin dhe të vjelin ata që do të vijnë pas nesh.” Perandorit i bënë shumë përshtypje ato që dëgjoi dhe i tha: “Të lumtë! Kjo është vërtet një fjalë e mirë” dhe menjëherë urdhëroi që plakut t’i jepeshin 400 dinarë floriri.

I moshuari i mori paratë në dorë dhe buzëqeshi. Perandori e pyeti: “Përse po buzëqesh?” I moshuari i thotë: “Pema e ullirit hyn në prodhim pas njëzet vitesh, kurse kjo pema ime që tanii dha frutat.” Perandori ia kthu: “Të lumtë!” Pastaj duke iu drejtuar vartësve u tha: “I jepni dhe katërqind dinarë të tjerë!”

Me t’i shtënë në dorë bujku i moshuar buzëqeshi sërish. Perandori e pyeti: “Po tani, përse buzëqesh?” Bujku ia ktheu: “Ulliri jep vetëm një herë në vit prodhim, kurse kjo pema ime ka filluar të japë dy herë.” Perandoi shtoi: “Të lumtë!” dhe urdhëroi t’i jepeshin edhe katërqind dinarë të tjerë. Pastaj urdhëroi që eskorta të nisej menjëherë. Komandanti i ushtarëve që e shoqëronin e pyeti: “Përse nxitoni lartmadhëri?” Perandori ia ktheu: “Po qëndrova më gjatë, do të më mbarojnë thesaret e perandorisë, para se t’i sosen fjalët këtij të moshuari.”

Thotë Allahu në Kuran: “Vallë, a nuk e sheh sesi Allahu e përqas fjalën e mirë me pemën e mirë, e cila rrënjën e ka të fortë në tokë, kurse degët nga qielli? Me lejen e Zotit të saj (pema) jep fruta në çdo kohë. Allahu u tregon shembuj njerëzve, që t’ua vënë veshin.” (Surja Ibrahim, 24-25)

Pin It