Gjiri i Hënës në Zvërnec ose Karaibet shqiptare…

 

Zvërneci ose “Karaibet shqiptare”, gjenden pak kilometra larg qytetit të Vlorës, në pjesën veriperëndimore të saj.

Pamja e parë mbi këtë ishull  mund të  merret edhe nga  kodrat e  Kripores deri sa mbërrihet në qytetin e Vlorës përgjatë rrugës që vjen nga Fieri.

Një urë druri rrethë 100 metra e ndërtuar rishtas mes për mes kënetës të çon drejt manastirit. Në anën tjetër të ishullit gjendet “Kisha e Shën Triadës”, një objekt kulti bizantin.

Zvërneci, me ishullin e vogël të tij, ndodhet 14 km larg nga Vlora, aty ku mbaron pylli i Sodës dhe fillon laguna e Nartës.

I tërë peizazhi krijon një ansambël shumë të bukur natyror, me plot kontraste dhe ku gjenden në harmoni bukuria me qetësinë e këtij vendi. Përveç bukurisë natyrore, interes të veçantë paraqet për vizitorët Manastiri i Shën Mërisë, i cili ndodhet në ishullin e Zvërnecit dhe ku mund të shkohet me një urë të ngushtë këmbësorësh prej druri. Manastiri është një ndërtim tipik bizantin i ndërtuar në shek. X-të pas Krishtit.

Ai kishte një bibliotekë kishtare shumë të pasur. Murgu i fundit nga manastiri është larguar në vitin 1967, kur në Shqipëri u mbyllën objektet fetare. Për shumë kohë manastiri qëndroi i mbyllur, u plaçkit dhe u dëmtua. Gjatë kohës së komunizmit, ishulli i Zvërnecit shërbeu si vend internimi për kundërshtarët e sistemit dhe manastiri si strehëz e tyre. Pas vitit 1990, manastiri iu rikthye përsëri funksionit të tij fetar.

Sot ai gjendet i rikonstruktuar dhe shumë interesant për tu vizituar. Veçanërisht ditën e 15 gushtit, e cila përkon me ditëlindjen e Shën Mërisë.  Manastiri dhe gjithë ishulli është i mbushur me visitor besimtarë dhe vizitorë turist të natyrës dhe historisë.

Gjatë gjithë stinës së verës manastiri është tepër i vizitueshëm nga turist vendas e të huaj.

Jo vetëm Zvërneci me ishullin dhe manastirin e tij, por e gjithë zona me lagunën dhe detin, përbëjnë një ekosistem shumë interesant dhe tërheqës për turistët.

Me një sipërfaqe prej rreth 42 km², laguna e Nartës zë gjithë pjesën veri-perëndimore të gjirit të Vlorës dhe ndahet nga deti Adriatik me një rrip të ngushtë toke, i cili përbëhet nga duna aluvionale me gjatësi të përgjithshëm 8 km dhe gjerësi 100 m e më shumë.

Nga që laguna komunikon nëpërmjet dy kanaleve me detin, uji i saj është i kripur. Kjo ka krijuar mundësinë që rreth 1/3 e lagunës të shfrytëzohet për nxjerrjen e kripës.

Me interes të vecantë për tu vizituar janë edhe dunat e Nartës. Ato gjenden në perëndim të lagunës së Nartës, në brezin ranor që ndan lagunën me detin.

Dunat kanë vlera estetike, turistike dhe ekonomike, pasi mbrojnë tokat arë në lindje të tyre. Vizitorët mund të futen në Zvërnec duke u nisur nga qyteti i Vlorës apo duke ardhur edhe nga qyteti i fierit.

Plazhet intime të Zvërnecit të kujtojnë ato të Karaibeve dhe janë tepër të frekuentuara. Tashmë jemi në periudhën e vjeshtës dhe plazhet rrihen veç nga dallgët e detit, por Zvërneci frekuentohet në çdo stinë.

Zvërneci mbetet një nga pikat më të afërta ku gërshetohet bukur turizmi natyror me atë detar dhe kulturor, ku historia prehet në krahët e detit dhe  natyrës. /ATA/

Pin It