Ibrahimi a.s, Mik i Zotit…

Pasi Ibrahimi a.s u kthye në Palestinë, ku u bashkua me  gruan e tij të parë Sarën, Zoti e përgëzoi me lindjen e Is’hakut. Asokohe, Ibrahimi a.s kishte mbushur njëqind e njëzet vjeç. Kurse gruaja e tij Sara, ishte nëntëdhjetë vjeçe. Lajmin përgëzues dhe sihariqin, ia dhanë tre melekë, të cilët zbritën nga qielli, Xhibrili a.s, Mikaili dhe meleku i vdekjes Azraili. Këtë sihariq, ata ia dhanë gjatë rrugës për tek fshati i Lutit a.s. Zoti i lartësuar i kishte urdhëruar ta shkatërronin përfundimisht vendbanimin e popullit të Lutit a.s, për shkak të sjelljeve perverse që ishin përhapur mes tyre.

Gjatë rrugës, ata u ndalën në familjen e Ibrahimit a.s dhe Sarës. Ata vajtën tek shtëpia e Ibrahimit a.s, me pamjen e njerëzve. Kur u takuan me Ibrahimin a.s e përshëndetën dhe hynë brenda. Ibrahimi a.s gëzohej pa masë kur i shkonin miq në shtëpi. Ibrahimi a.s, përveç gëzimit se i erdhën miq, ndjeu frikë dhe shqetësim nga prezenca e tyre. Ata nuk ishin të njohur në atë zonë dhe nuk kishin asnjë shenjë udhëtimi, nuk kishin kafshë udhëtimi, rrobat i kishin të pastra dhe nuk dukeshin të lodhur, që të merreshin për udhëtarë.

“A e ke dëgjuar historinë e mysafirëve të nderuar të Ibrahimit? Ata hynë tek ai e i thanë: “Paqe!” – dhe ai u tha: “Paqe, o njerëz të panjohur!” (Surja Dharijat, 24-25)

Edhe pse nuk i njohu dhe nuk iu dukën udhëtarë, ai i futi brenda dhe i nderoi siç nderonte të gjithë miqtë.

“Të dërguarit Tanë, i sollën Ibrahimit lajmin e mirë dhe i thanë: “Paqe mbi ty!” Ai u përgjigj: “Paqja qoftë mbi ju!” Dhe me të shpejtë u solli atyre një viç të pjekur.” (Surja Hud, 69)

“E pa u vënë re, ai shkoi te njerëzit e shtëpisë dhe solli një viç të majmë.” (Surja Dharijat, 26)

Edhe pse ishin vetëm tre vetë, Ibrahimi a.s vajti e u therri një viç të madh. Kjo pasi siç thamë, ishte tepër bujar dhe zemërgjerë. Bujaria dhe zemërgjerësia është nga virtytet e profetëve dhe të dërguarve të Zotit.

“Kur pa se ata nuk po i zgjasnin duart tek mishi, nuk i pëlqeu dhe ndjeu frikë prej atyre.”(Surja Hud, 70)

Duke parë që miqtë nuk po hanin fare nga mishi i pjekur, Ibrahimi a.s ndjeu frikë. Në një transmetim, thuhet se miqtë (melekët) i thanë: “Nuk hamë ushqim, pa paguar çmimin e tij.” Me këtë donin ta sprovojnë. Ibrahimi a.s u tha: “Mirë, hajeni dhe i paguani çmimin.” Melekët e pyetën:”E cili na qenka çmimi i tij?” Ibrahimi a.s u përgjigj:”Që të thoni në fillim “Bismilah” dhe në fund “Elhamdulilah”. Melekët i thanë: “Ka të drejtë i gjithëmëshirshmi, kur të etiketon “Mik i Zotit”.

Ibrahimi a.s ishte njeriu më i dashur tek Zoti, saqë mori dhe titullin “Mik i Zotit”. Në shumë thënie, profeti Muhamed a.s sinjalizon se Ibrahimi a.s ishte profeti më i dashur tek Zoti, pas tij.” Në një nga këto hadithe, Profeti a.s thotë se Ditën e Kiametit, do e kenë zili të gjithë njerëzit.

Kur Ibrahimi tha: “O Zoti im! Tregomë si i ngjall të vdekurit!” – Zoti i tha: “A nuk beson?” – “Besoj” – iu përgjigj Ibrahimi, “por dëshiroj të më qetësohet zemra.” – Dijetarët shprehen se ekzistojnë dy lloje dijesh: Dija e sigurt (ilmul jekin), sipas të cilës njeriu nuk dyshon aspak për diçka. Transmetohet nga Umer ibnul Hattabi, se ka thënë:”Për Zotin, sikur të hapej qielli dhe të shoh me sy xhenetin dhe zjarrin, nuk do më shtohej më shumë besimi që kam për ekzistencën e tyre.” E dyta, është siguria e plotë (ajnul jekin) kur njeriu e sheh me sytë e tij, atë që i besonte më parë. – Allahu i tha:“Merr katër zogj dhe copëtoji. Shpërnda në çdo kodër nga një copë prej tyre pastaj thirri! Ata do të të vijnë me të shpejtë. Dhe ta dish se Allahu është i Plotfuqishëm dhe i Urtë.” (Bekare, 260)

Zoti i tha që të marrë katër zogj, t’i therë, t’i copëtojë, mishin e puplat t’ua përziejë me njëri-tjetrin dhe t’i shpërndajë në katër male. Në një transmetim, thuhet që kokat e tyre, e urdhëroi t’i mbajë në duar. Ibrahimi a.s mori katër zogj, i theri, i copëtoi dhe i përzjeu me njëri-tjetrin, përftesën e ndau në katër pjesë, ku çdo pjesë e çoi në një mal, ndërkohë që kokat i mbajti në dorë. Mandej, i thirri mishrat e katër zogjve, të cilët erdhën para syve të tij, secili mori kokën e tij dhe fluturuan, duke u ringjallur kështu sërish.

Si çdo profeti të dërguar tjetër, edhe profetit Ibrahim a.s iu shpallën vargje hyjnore. Kur profeti Muhamed a.s u pyet mbi shpalljen e Ibrahimit a.s, u përgjigj:”Ato ishin të gjitha fjalë të urta. Nga këto fjalë, ishin:”O ti sovran tiran, i sprovuar dhe i vetëmashtruar! Unë nuk të dërgova të koleksionosh të mirat e dynjasë me njëra-tjetrën, por të dërgova që të përkrahësh atë që i është bërë padrejtësi. Lutjen e atij që i është bërë padrejtësi, unë e dëgjoj edhe nëse vjen nga një jobesimtar.”

Një këshillë tjetër është:”Një njeri i mençur, përderisa nuk e ka humbur mendjen akoma, duhet ta ndajë ditën në orë:”Në një orë, ai duhet t’i qajë hallet Zotit të tij. – Ky është një ritual të cilin e kanë braktisur njerëzit. Ai konsiston në faktin që të ulesh dhe t’i flasësh Zotit, sikur e ke përpara, në vetmi të plotë. – Në një orë, të meditosh mbi krijesat e Zotit – për ata që e përmendin Allahun duke qëndruar në këmbë, ndenjur ose shtrirë dhe që meditojnë për krijimin e qiejve dhe të Tokës (duke thënë:) “O Zoti Ynë! Ti nuk i ke krijuar kot këto – lartësuar qofsh (nga çdo e metë)!…” (Surja Ali Imran, 191) 

 

Burimi: ardhmeriaonline.com

Pin It