“Identiteti kombëtar dhe diaspora”, ekspozita me 265 antikuare

bushati1-1-350x197

 

bushati2-1-350x197

Në ekspozitën “Identiteti kombëtar dhe diaspora”, të çelur në kuadër të Samitit të parë të Diasporës nga Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë dhe Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave u prezantuan rreth 265 antikuare, libra, revista, portrete, imazhe dhe pjesë të tjera dokumentuese.

Të karakterizuara nga një vetëdije mbresëlënëse, diasporat e shumta shqiptare, si arvanitase, arbëreshe, ballkanike, ato të Stambollit dhe Misirit, dhe e mirënjohura në SH.B.A. përmes “Vatrës”, përbënë potencialin thelbësor intelektual, politik, diplomatik, organizativ dhe ekonomik, në të cilin u mbështetën përpjekjet për Pavarësi si edhe ato të mëtejshmet për një zhvillim të qëndrueshëm e demokratik të vendit.

Emra të shquar të botës kulturore shqiptare, sot pjesë e rëndësishme e Historisë sonë kombëtare lindën ose u mirëpritën dhe kontribuuan pikërisht në gjirin e këtyre diasporave që nga De Rada e Skiroi, Frashëllinjtë e Çajupi, Nikolla Naço e Kristo Luarasi, e deri te Konica e Fan Noli. Lëvizjet, shoqëritë patriotike e kulturore të themeluara prej tyre kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në kujtesën e trashëgiminë tonë kombëtare.

Vlerave të kësaj ekspozite iu shtuan simbolikisht edhe vlerat e paçmueshme të rreth 270 librave nga Biblioteka e mirënjohur e Faik Konicës, të cilët tashmë do të pasurojnë fondet e Bibliotekës Kombëtare.

Në fjalën e saj përshëndetëse, drejtoresha e Bibliotekës Kombëtare, Persida Asllani, u shpreh se “kjo ekspozitë skicon një retrospektivë të historisë dhe jetës së diasporave shqiptare duke theksuar të përbashkëtën e tyre të madhe: ruajtjen dhe zhvillimin e identitetit kombëtar”.

Drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave, Ardit Bido, vuri në dukje se me këtë ekspozitë vjen historia e mërgatës dhe kontributi i jashtëzakonshëm i saj në jetën kulturore dhe shoqërore të Shqipërisë.

Ministria e Kulturës, Mirela Kumbaro-Furxhi, duke u ndalur në rëndësinë dhe rolin historik të diasporës shqiptare theksoi se “kjo ekspozitë i drejtohet jo vetëm publikut të përhershëm, por edhe bashkatdhetarëve që vijnë nga diaspora”.

Më tej, Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, theksoi rëndësinë e “diplomacisë publike si një instrument për promovimin e vlerave më të mira të shqiptarëve kudo në botë”.  Ai shtoi se “kjo ekspozitë është një mozaik shumë i pasur i atij kontributi të çmuar të diasporës shqiptarë për formësimin e identitetit kombëtar”.

Në kuadër të Samitit të Diasporës, krahas librave të Bibliotekës së Faik Konicës, të mundësuara, nga Agron Alibali, fondi i vlerave të rralla të Bibliotekës Kombëtare u pasurua edhe me një letër dorëshkrim të intelektuales me origjinë shqiptare Dora D’Istrias, shkruar në vitin 1862, e cila u dhurua nga z. Gjino Luka. Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë i akordoi Agron Alibalit dhe Gjino Luka “Çertifikatën e Mirënjohjes” si shenjë vlerësimi për përkushtimin dhe punën e tyre të çmuar.

Në përmbyllje të aktivitetit, Biblioteka Kombëtare shpalli edhe Çmimin Kombëtar të Bibliofilisë – Lumo Skëndo për vitin 2015 dhe për vitin 2016. Çmimi Kombëtar i Bibliofilisë – Lumo Skëndo 2015 iu dha “Botimeve Françeskane” për botimin bibliografik “Libri Antikuar për Shqipërinë në Bibliotekën Françeskane” të autorit At Vitor Demaj, OFM dhe autores Siva Kodheli. Çmimi Kombëtar i Bibliofilisë – Lumo Skëndo 2016 iu dha “Botimeve KULT” për koleksionin e revistës së mirënjohur “Albania” të Faik Konicës .
Ekspozita do të qëndrojë e hapur për të gjithë vizitorët në deri në datë 29 nëntor 2016.

Pin It