Jeta artistike e kryeqytetit ka marrë një trajtë krejtësisht artistike me nisjen e edicionit të tretë të “International Albanian Brass Festival”. Edicioni i tretë ndërkombëtar i instrumenteve të tunxhit sjell në Tiranë emra të njohur botëror, si Arkady Shilkloper apo Paul Goodchild, trombist i parë në orkestrën e Sidnej, solist në koncertet e artistëve si Sting, etj. Drejtori artistik, Ilir Kodhima, thotë se një vend i veçantë i është dedikuar repertorit muzikor shqiptar.
Festivali ka si synim edhe promovimin e veprave të reja të kompozuara nga kompozitorët shqiptar. Këtë edicion në festival do të jenë katër vepra të reja të kompozuara. Për herë të pare vjen e përpunuar edhe suita e filmit “Skënderbeu”. Luca Benucci, artisti që njihet në të gjitha skenat europiane është një tjetër emër që i shtohet edicionit të tretë të festivalit të instrumenteve të tunxhit. Ashtu sikurse edhe vitin e shkuar krijimi më i mirë i ri nga artistët shqiptarë, do të vlerësohet e do të promovohet nga shtëpitë diskografike dhe artistët e huaj. Gjatë këtyre netëve do të luhen vepra premierë të kompozitorëve shqiptar, por edhe të huaj. Festivali vazhdon të ketë si qëllim edukimin përmes kulturës, duke afruar sa më shumë të rinj nga shkolla të ndryshme të qyteteve të Shqipërisë. Gjatë gjithë javës do të mbahen mësime falas për të gjithë të interesuarit pranë Universitetit të Arteve si dhe do të vazhdojë mbështetje e kompozitorëve nga kompania muzikore në Australi -Hammering Records. “Në vazhdën e bashkëpunimit të festivalit me këtë studio muzikore, do të mbështeten me një shumë financiare 3 prej artistëve shqiptar për të kompozuar vepra të reja të cilat do të luhen në edicionin e 4 të brass fest më 2019 dhe më pas në Australi. Ky festival ka për synim pikërisht brezin e ri dhe për këtë arsye ne si organizatorë të festivalit do të mbështesim njërin prej studentëve me një shumë modeste financiare dhe sigurisht do të shoqërohet me marrjen e çmimit “Best Student”, kanë bërë me dije më herët organizatorët e festivalit. “International Albanian Brass Festival” organizohet nga shoqata “Artistët Interpretë”, falë mbështetjes së Ministrisë së Kulturës, Universitetit të Arteve, Agjencisë së Parqeve dhe Rekreacionit pranë Bashkësisë së Tiranës, etj.