Islami i ka kushtuar rëndësi të veçantë nderit njerëzor

Në Kur’an është treguar kujdes i veçantë në përmendjen e emrave të individëve. Në rastin e Yusufit a.s askund nuk është përmendur emri i Zelihasë, por vetëm është aluduar nëpërmjet përemrit vetor të vetës së tretë njëjës të gjinisë femërore (ha-ajo), kështu që nuk ka lejuar përqëndrimin e shikimeve mbi personin e saj. Përmendja e personave përmes përemrave vetorë dhe mosproklamimi i emrave të tyre edhe njëherë vë në pah stilin e pashoq dhe fisnik të Kur’anit Famëlartë.

Mospërmendja e emrave të personave ishte shtyllë edhe e moralit të Pejgamberit (s.a.s) dhe e pejgamberëve të tjerë të feve qiellore. Këtë më së miri e sqaron një hadith i përcjellë nga Aishja (r.a) në Sunen-in e Ebu Davudit: “Kur dikush i tregonte Pejgamberit (s.a.s) për bisedën jo të këndëshme të dikujt, Ai nuk thoshte: “Si është puna me filanin që flet ashtu?”, por thoshte: “Ç’po ndodh me njerëzit që bëjnë biseda të tilla?”

Siç shihet edhe Profeti (s.a.s) që e kishte moralin e Kur’anit, nuk i përmend emrat e personave, por flet në trajtë të përgjithshme. Kur’ani nuk ka përmendur as emrat e armiqve më të ashpër të Islamit, qofshin ata jobesimtarë apo hipokritë. Sikur të përmendeshin emrat e tyre, atëherë ata nuk do të kishin mundësi të pranonin Islamin. Për arsye se në momentin kur provokohet egoja dhe nënçmohet krenaria, është në natyrë të njeriut të sillet me kokëfortësi.

Kjo psikologji i ka diktuar Pejgamberit (s.a.s) të sillet ndaj hipokritëve sikur të jenë myslimanë, edhe pse e dinte se nuk ishin. Ai ndaj tyre nuk ka përdorur mekanizma të veçanta shtetërore nga ato që i përdorte për myslimanët. Shumica e komentuesve të Kur’anit thonë që ajetet e fundit të sures Kijame, janë zbritur për Ebu Xhehlin, mirëpo Allahu nuk e përmend atë me emër, por me përemër vetor. [Surja Kjame, 26-36]

Shkaku i zbritjes edhe të shumë ajeteve të tjera është ndonjë individ, mirëpo porosia është e përgjithshme dhe në vend të emrit, personat përmenden me përemra vetorë. Psh. Velid ibn Mugire kur i ka dëgjuar ajetet e Kur’anit prej Pejgamberit (s.a.s) është ndikuar prej tyre dhe ka kuptuar se ato janë fjalë të Allahut, por prej krenarisë dhe kokëfortësisë së tij nuk ka besuar. allahu ka folur për karakterin e tij në suren Muddeththir nëpërmjet përemrit vetor. [Surja Muddeththir, 11-26]

Ka dhe shumë shembuj të tjerë të ngjashëm me rastet e mësipërme. Kur’ani me mospërmendjen e emrave të individëve e mbron nderin e individit, por njëkohësisht tregon edhe universalitetin e tij. Sikur të përmendeshin emrat, atëherë ngjarjet e paraqitura në Kur’an do të kishin dimension historik. Mënyra e përkujtimit të personave në këtë mënyrë, nga njëra anë tregon historicizmin e Kur’anit në pikëpamje të shkaqeve të shpalljes, ndërsa na ana tjetër e bën atë universal. Ajetet e Kur’anit kur flasin për karakterin dhe sjelljet e personave për shkak të të cilëve kanë zbritur, kanë për qëllim të gjithë personat me karakter dhe sjellje të ngjashme.

Krahas qëndrimit të përgjithshëm për mospërmendjen e emrave, Kur’ani në disa raste ka përmendur emra të tillë si Ebu Lehebi. Ky qëndrim është praktikuar në veçanti në periudhën e torturave, bojkoteve dhe të presioneve psikologjike ndaj myslimanëve kur ata ishin ende në Mekë. [Surja Mesed, 1-5]

Si rrjedhojë e kësaj, mund të konkludohet se mësimi qiellor i ka kushtuar rëndësi të veçantë nderit njerëzor dhe në thirrjen fetare ka pasur parasysh një numër të madh elementesh psikologjike.

Pin It