Kalendari historik, 12 dhjetor

12 Dhjetori është dita e 346-të e kalendarit gregorian (dita e 347 në vitin e brishtë) – kështu që deri në fund të vitit kanë mbetur edhe 19 ditë.

 

1119377_1280x720

1915 – Në Hoboken, New Jersey, lindi Frank Sinatra, fëmija i vetëm i emigrantëve italianë Natalie dhe Antonino Sinatra. Fëmijëria e tij përkoi me periudhën e Krizës së madhe ekonomike; Sinatra la shkollën e mesme ose u përjashtua për shkelje disipline (vetëm 1 muaj para diplomimit); punoi si shitës gazetash; më pas si punëtor porti; pësoi edhe ndonje arrestim për kundërvajtje ligjore; është përfolur për shumë gjëra, përfshi lidhjet me mafian; por muzika ishte interesi i tij kryesor; Sinatra filloi të kënduarit në moshën 8 vjeçare, duke qëndruar në hyrje të bareve dhe klubeve të natës në Hoboken; filloi të kënduarit në mënyrë profesionale kur ishte adoleshent. Thonë se Sinatra e kishte mësuar muzikën me të dëgjuar (kishte vesh për muzikë); ai nuk i njihte notat; kurrë nuk mësoi të lexonte partiturat; Sinatra shkroi, kompozoi, e regjistroi rreth 1 mijë e 500 këngë. Megjithatë, karriera e tij është e pashembullt, e gjatë, e gjithëanëshme, e sukseshme, edhe në kinematografi, ku arriti thuajse të njëjtën shkallë suksesi me atë në muzikë. Edhe pse konsiderohet hero në qytetin e tij, Hoboken, Frank Sinatra rrallë e vizitoi atë. Thuhet se në vitin 1948, ai shkoi në Hoboken por nuk u prit mirë, dhe u betua se kurrë nuk do të kthehej; në fakt nuk u kthye deri në vitin 1984, kur shkoi me presidentin Ronald Reagan (atëhere në fushatë për rizgjedhje në Shtëpinë e Bardhë). Në vitin 1995, për të shënuar 80 vjetorin e ditëlindjes ndërtesa Empire State u vesh me drita blu; në Shrine Auditorium në Los Anxheles u zhvillua simpoziumi Sinatra: 80 Years My Way”; në fund të programit Sinatra këndoi për herë të fundit “New York, New York”. Kjo ishte edhe shfaqja e fundit televizive e tij. Sinatra vdiq më 14 maj 1998 ne West Hollywood, Kalifornia.

idromeno05-640x340

1939 – Vdiq Nikolla “Kol” Idromeno – lindi më 15 gusht 1860 në Shkodër – artist; piktor, arkitekt, urbanist, fotograf, skenograf, muzikant, kompozitor këngësh popullore, operatori i parë i filmave dokumentarë në Shqipëri, që më 1912. Thuhet se familja e tij ishte nga më të njohurat e Pargës në Çamëri. I ati, Arsen Idromeno, kishte ardhur në Shkoder nga ishulli Hidro i banuar nga arbëreshët e Greqisë. Kola filloi të pikturonte që kur ishte fëmijë; mësime për vizatim i mori duke qëndruar pranë fotografit të njohur të qytetit, Pietro Marubi, i cili e ndihmoi Kolën për të ndjekur studime për pikturë në Venecia. Por, i pa mësuar me disiplinën në shkollë, pas 6 muajsh, Kola braktis mësimet pas dhe filon të punojë pranë piktorëve dhe artistëve vendas. Kur kthehet në Shkodër. 1871, ai realizon pikturat e para; një prej të cilave “12 luftëtarët e Pargës në lundër” në përkujtim të largimit të paraardhësve nga Parga drejt Himarës. Në vitin 1883, Idromeno realizon veprën “Motra Tone”, portreti i parë psikologjik i pikturës realiste të periudhës së rilindjes shqiptare. Nga fundi i shekullit 19 dhe fillimi i shekullit 20, pikturat e Idromenos u shfaqën në ekspozita të ndryshme ndërkombëtare si në Budapest, Romë, Bari, Nju Jork etj. Piktura e fundit e Idromenos është “Plaku i Postrribës” (1939), ku ai shpreh gjendjen e vështirë ekonomike të fshatit shqiptar. Fusha të tjera ku Idromemo spikat janë  skulptura dhe arkitektura –  me rreth 60 ndërtime private e publike në Shkodër të projektuara prej tij.

Pin It