Kalendari historik: 15 prill

1452 – Në Vinçi të Italisë lindi Leonardo da Vinci – piktor, skulptor, shkencëtar vizionar, dijetar, arkitekt, muzikant, matematicien, inxhinier, shpikës, anatomist, gjeolog, hartograf, botanist, dhe shkrimtar. Gjenialiteti i tij  është i pakrahasueshëm, edhe sot; njeri i kuriozitetit të pashuar dhe imagjinatës së ethëshme krijuese. Leonardo është konsideruar gjerësisht si një nga piktorët më të mëdhenj të të gjitha kohërave dhe ndoshta personi me talentin më të gjithanshëm që ka jetuar ndonjëherë. Sipas historianes së artit Helen Gardner, shtrirja dhe thellësia e interesave të tij ishin të pashembullta, mendja dhe personaliteti i tij ishin mbinjerëzorë. Leonardo (v. 1519) njihet kryesisht si piktor. Ndër veprat e tij, Mona Lisa është portreti më i famshëm; Darka e Fundit, piktura më e riprodhuar fetare e të gjitha kohërave; vizatimi Njeriu Vitruvian konsiderohet si ikonë kulturore, e riprodhuar në objekte të ndryshme si në monedhën euro, tekste shkollore, dhe kanatjere. Vetëm 15 nga pikturat e tij kanë mbijetuar, jo se kanë humbur, por shumë prej tyre Leonardo kurrë nuk i përfundoi, ose eksperimentonte me to. Sipas Leonardos, lartësia normale e trupit të njeriut duhet të jetë sa gjatësia e kokës shumëzuar me 9.

1755 – Botohet në Londër Fjalori i Gjuhës Angleze nga Samuel Johnson (mes fjalorëve më me ndikim në historinë e anglishtes). Atij iu deshën 9 vjet për të përfunduar Fjalorin, edhe pse kishte thëne se do ta përfundonte atë në tre. Deri në botimin e Oxford English Dictionary, 173 vjet më vonë, Fjalori i Johnsonit konsiderohej si i vetmi fjalor autoritativ në anglisht – me 42.773  fjalë të ilustruara me rreth 114,000 citime letrare. Autorët e cituar më shpesh nga Johnson përfshijnë Shekspirin, Milton dhe Dryden. Ndryshe nga leksografët e tjerë, Samuel Johnson futi në fjalor edhe humor e paragjykime në shpjegimin e shumë fjalëve, p.sh.:
-Akcizë: taksë e urryer vënë mbi mallrat nisur jo nga vlera e mallit por nga gjykimi i atyre të cilëve taksa u paguhet.
-Leksikograf : shkrimtar fjalorësh, hamall i padëmshëm që i hap punë vetes për gjetje origjinale dhe detajon kuptimin e fjalëve.
-Elb: lloj drithi me të cilin në Angli ushqehen kryesisht kuajt, por në Skoci e hanë njerëzit.

1865 – Abraham Linkoln vdes pasi ishte qëlluar një natë më parë nga aktori John Wilkes Booth, ndërsa po shikonte një shfaqje në Teatrin Ford në Uashington.

1912 – Anija e udhëtarëve Titanik zhytet në Atlantikun e Veriut dy orë e dyzet minuta pas përplasjes me një ajsberg. Vetëm 710 nga 2,227 pasagjerët dhe ekuipazhi në bord shpëtuan.

1923 – Për herë të parë Insulina vihet në dispozicion për përdorim të gjërë nga njerëzit me diabet. Insulina ishte zbuluar në vitin 1922 dhe sot përdoret çdo ditë në trajtimin e diabetit. Ajo nxirret nga pankreasi e deleve, lopëve dhe me mënyra të tjera, përfshi syntetizimin në laborator. Insulina –  hormon natyral i prodhuar nga pankreasi- është jetik për metabolizmin e karbohidrateve në trup. Një sipërbollëk i insulinës në organizëm shkakton shumëllojshmëri simptomash, përfshi gjendje kome.

1971 – Aktori George C. Scott refuzon çmimin Oskar për rolin e tij në filmin “Patton”, gjeneral i trupave amerikane në Evropë gjatë luftës së dytë botërore. Aktori Scot u tha gazetarëve se nuk e donte një nder të tillë pasi është poshtëruese që aktorët të konkurrojnë kundër njeri tjetrit. Ai e quajti ceremoninë Oskar një paradë mishi, shfaqje publike e sajuar për përfitime ekonomike.

1984 – Përurohet Dita Botërore e Rinisë në Sheshin e Shën Pjetrit, Vatikan.

Lindje

  • 1452 – Leonardo da Vinci, piktor, skulptor, arkitekt dhe filozof italian (vdiq më 1519)
  • 1892 – Corrie Ten Boom, shkrimtare hollandeze (vdiq më 1983)
  • 1912 – Kim II Sen, diktator i Koresë Veriore (vdiq më 1994)
  • 1913 – Vangjel Grabocka, aktor
  • 1920 – Thomas Szasz, psikolog amerikan (vdiq më 2012)
  • 1924 – Jup Kastrati, mësues shqiptar
  • 1927 – Bejto Isufi, ushtarak shqiptar
  • 1931 – Tomas Tranströmer, shkrimtarë suedezë, Çmimit Nobel për Letërsi
  • 1938 – Claudia Cardinale (Klaudia Kardinale) aktore e famshme italiane.
  • 1959 – Emma Thompson, aktore angleze
  • 1990 – Emma Watson, aktore angleze

Vdekje

  • 1828 – Francisco Goya, piktor spanjoll (lindi më 1746)
  • 1865 – Abraham Lincoln, kryetar i SHBA-ve (lindi më 1809)
  • 1882 – Charles Darwin, shkencëtar anglez, autor e teorisë i evoluimit (lindi më 1809)
  • 1946 – Faik Shatku, jurist dhe ministër shqiptar (lindje 1889).
  • 1972 – Frank Hyneman Knight  ishte një ekonomist amerikan, themelues i shkollës ekonomike të Chicagos. (lindje 7 nëntor 1885)
  • 1990 – Greta Garbo, aktore amerikano-suedeze
Pin It