Kalendari historik: 15 Shkurt

 

Ngjarje

 

1864 – Zjarri në Rotterdam të Holandës dëmton rëndë Muzeun Boijmans, duke shkatërruar pjesën më të madhe të koleksionit fillestar. Muzeu ishte hapur në vitin 1847 me një koleksion dhuruar nga Frans Boymans. Në vitin 1958, muzeut iu shtua edhe koleksioni i biznesmenit Daniel van Beuningen, dhe sot mban emrin Muzeu Boijmans – van Beuningen. Mes artistëve më të njohur me vepra pjesë të koleksionit të përhershëm të muzeut janë Bosch, Rembrandt, Claude Monet, van Gogh, Cézanne, Monet, Magritte, Munch etj.

1879 – Presidenti amerikan Rutherford Hayes nënshkroi një ligj që lejon avokatët femra të argumentojnë çështje para Gjykatës së Lartë. Shumë pak është folur për këtë president, madje disa as që kanë dëgjuar. Rutherford Hayes ishte  republikan. Gjatë Luftës Civile arriti gradën e gjeneralit; pas luftës shërbeu si kongresmen për dy mandate, ku edhe krijoi reputacionin e politikanit të ndershëm. Në zgjedhjet presidenciale të vitit 1868, Rutherford humbi votat popullore, por fitoi ato të Kolegjit Elektoral (185-184). Si presidenti Hays ndoqi një politikë pajtuese ndaj shteteve të jugut. Ai shërbeu vetëm një mandat – nuk dëshironte të ri-kandidonte –  pjesën tjetër të jetës e kaloi duke u marrë me çështje humanitare – vdiq më 17 janar 1893, 71 vjeç.

1936 – Hitleri shpall planet për ndërtimin e automobilit “Volkswagen” “makinë e popullit”, me një çmim të përballueshëm. Dy kompanitë më të mëdha Daimler – Benz dhe Auto Union, ranë dakord për të financuar projektin i kryesuar nga Ferdinand Porsche. Në vitin 1935, makina  e pare Volkswagen doli në rrugë, por me çmim më të lartë. Dhe qeveria krijoi një program financimi; klientët duhej të depozitonin çdo javë të paktën 5 marka në një llogari pa interes bankar. Kur shuma të arrinte 750 marka, personit i dërgohej Volkswageni në shtëpi. Rreth 270,000 gjermanë u regjistruan në këtë program – asnjë Volkswagen nuk iu dorëzua ndonjëherë ndonjë klienti civil.

1965 – Këngëtari i Bitëllsave John Lennon (1940-1980) merr patentën e shoferit. Për të thuhet se ishte shofer shumë i keq, sidomos pas një aksidenti rrugor që e bëri të humbte plotësisht vetëbesimin në ngarjen e makinës. Që nga ajo kohë, kur shkonte në studiot e regjistrimit, Lennon merrte taksi ose shofer me pagesë.

1970 – U themelua Universiteti i Prishtinës.

 

2005 – Portali për video YouTube, u paraqit për herë të parë në ShBA.

 

Lindje

  • 1564 – Galileo Galilei, filozof dhe fizikan italian (vdiq më 1642)

Vdekje

  • 1984 – Gjon Mili, fotograf

 

Pin It