Kalendari historik 17 gusht

17 Gushti është dita e 229 – kështu që deri në fund të vitit kanë mbetur edhe 136 ditë.

Ngjarje

1386 – Karl Thopia, princi  i Mbretërisë së Shqipërisë, me kryeqendër Durrësin, krijon aleancë me Republikën e Venedikut – ai bie dakord për të marrë pjesë në të gjitha luftërat e Republikës (ose të paguante fonde ndihmëse dhe furnizim me grurë), në shkëmbim për mbrojtjen bregdetare kundër osmanëve. Përveç kësaj, Topia u premtoi tregtarëve venecianë siguri në territorin e tij. Karl Topia ishte biri i Andrea Topias, dhe nëna e tij ishte bijë e Robertit të Napolit, nga shtëpia e njohur Anzhui e Francës. Ngjarja rrodhi kështu: Roberti kishte një vajzë të jashtligjshme, Helen, të cilën ai dëshironte ta martonte me të një fisnik francez në More. Por rrugës,  anija me të cilën ajo po udhëtonte ndeshi me një stuhi dhe u ndal në Durrës; aty u takua me princin Andrea Thopia, dhe të dy ranë në dashuri; ata u martuan dhe u lindën dy djem, Karl e Gjergj. (Gjon Muzaka në gjenealogjinë e tij thotë se Andrea e rrëmbeu Helenën). Mbreti Robert i Napolit u zemërua nga prishja e planit të martesës, por nuk e dha veten; ai e ftoi bijën e tij dhe Andrean në Napoli, dhe i vrau të dy.  Familja Thopia sundoi rajonet Durrës, Krujë, Peqin, Elbasan, Mokër dhe Gorë, deri në Liqenin e Ohrit.  Më 1381, Karl Topia ndërtoi Kishën e Shën Gjonit në afërsi të Elbasanit; ai shfaqet edhe në ikonën e Shën Gjonit, pikturuar nga Onouphrios Protopapas (i njohur si “Onufri”), i veshur me një kurorë duke qëndruar përkrah  Shenjtit. Një mbishkrim kaligrafik në greqisht në muret e kësaj Kishe dëshmon: “Karlas Theopias, nip nga gjaku i mbretit të Francës … ndërtoi këtë kishë të shenjtë të Shën Gjon Vladimirit…”

1717 – Luftrat austro-osmane 1716 – 1718: Rrethimi njëmujor i Beogradit përfundon me marrjen e qytetit nga Perandoria Osmane.

1911 – Ersekë, Shqipëri; vdiq Petro Nini Luarasi, 47 vjeç, prift, shkrimtar, mësues. Iku i helmuar. Petro punoi si drejtor dhe mësues i shkollës së parë shqipe të motrave Gjerazi në Korçë më 1887. Në vitin 1904, emigroi në Shtetet e Bashkuara ku qëndroi disa vite – si anëtar aktiv i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Petro Nini Luarasi ishte delegatë në Kongresin e Manastirit që sanksionoi krijimin e alfabetit shqip më 1908.  Për atdhetarizëm, mësimin e gjuhës shqipe dhe veprimtari shoqërore, Petro Nini u përndoq si nga turqit e rinj ashtu edhe nga Patriarku Ekumenik ortodoks i Konstandinopojës.

1943 – Lufta e Dytë Botërore: Trupat amerikane të komanduara nga gjenerali George S. Patton mbërrijnë në Messina, Itali, pasuar disa orë më vonë nga trupat britanike nën komandën e marshallit Bernard Montgomery, duke kompletuar pushtimin aleat të Sicilisë.

1945 – Shpallja e Pavarësisë së Indonezisë.

1960 – Gaboni pavarësohet nga Franca.

1962 – Simbol i shëmtuar i luftës së ftohtë; Rojet gjermano lindore qëllojnë të riun Peter Fechter që përpiqej të kalonte Murin e Berlinit për në Perëndim dhe e lënë atë të vdesë nga humbja e gjakut.

1988 – Presidenti pakistanez Muhammad Zia-ul-Haq dhe ambasadori amerikan Arnold Raphel vdesin në aksident ajrorë.

1991 – Wade Frankum fillon kryerjen e vrasjeve në Strathfield, Australia.

1998 – SHBA, Skandali Lewinsky: Presidenti amerikan Bill Clinton pranon në dëshminë e regjistruar se ai kishte pasur “marrëdhënie të pahijshme fizike” me praktikanten e Shtëpisë së Bardhë, Monika Lewinsky. Në të njëjtën ditë Klinton pranoi para kombit se kishte “çorientuar njerëzit” në lidhje me këto marrëdhënie.

1999 – Dridhet toka me intensitet 7,6 shkallë në Izmit, Turqi, duke lënë të vdekur 20.000 dhe duke plagosur 44.000 njerëz.

2008 – Notari amerikan Michael Phelps bëhet personi i parë që fiton 8 medalje ari olimpike në një vit.

 

Lindje

1914 – Franklin Delano Roosevelt, Jr., politikan amerikan (v. 1988)

1925 – Jiang Zemin, politikan kinez

1930 – Ted Hughes, shkrimtar britanik

1932 – Vidiadhar Surajprasad Naipaul, shkrimtar anglez, nobelist

1943 – Robert De Niro, aktor amerikan

1944 – Rexhep Meidani, politikan shqiptar, ish president i Shqipërisë.

1977 – Thierry Henry, futbollist francez

Vdekje

1911 – Petro Nini Luarasi, personalitet i Rilindjes sonë Kombëtare.

1988 – Franklin Delano Roosevelt, Jr., politikan amerikan (l. 1914)

2008 – Franco Sensi, President i A.S Roma dhe babai i Rosella Sensi

2014 – Licia Albanese , soprano italiane me shtetësi amerikane (l. 1913}

Pin It