Kalendari historik, 27 mars

27 Marsi është dita e 86 e këtij viti, deri në fund të tij janë edhe 279 ditë.

196 pes – Ptolemeu V ngjitet në fronin e Egjiptit. Ai ishte sunduesi i pestë i dinastisë së Ptolemeut (ish-gjeneral i Aleksandrit të madh). Ptolemeu V u bë sundimtar në moshën pesë vjeçare, dhe nën një seri regjentësh që dobësuan së tepërmi mbretërinë e tij. Gjithësesi, Ptolemeu i pestë mbahet mend për diçka të rëndësishme; për Gurin Rosetta (krijuar më 27 mars, 196 pes) një nga shkrimet kyçe për të kuptuar  hieroglifet në botën moderne.

 

1866 – Në Sheper, Zagori, Shqipëri, lindi Andon Zako Çajupi, avokat me pak sukses; por poet, dramaturg i shquar, veprimtar patriot i madh, dhe demokrat. Jetoi dhe vdiq ne Egjipt më 1930. Çajupi ishte i pasur dhe kjo e ndihmoi t’i përkushtohej poezisë, të shkruante edhe për varfërinë si diçka që e bën njeriun të pavarur dhe të shijojë lirinë.

Liria dhe Varfëria

Jam i varfër, po i lirë,

ndaj më pëlqen varfëria;

kush do të rrojë më mirë,

s’urdhëron dot veten e tia.

Mbreti, sikur të më thotë:

«Hajde në pallat me mua,

të gëzosh dhe ti në botë,

do t’i them: Zot, nukë dua;

për të ngrën’ e për të pirë

nukë mund të shes lirinë;

i varfëri rron më mirë

s’ai që do madhërinë.

S’më duhet ergjëndi mua,

dua lirinë dhe nderë,

dua të bëj si të dua,

jo si të duan të tjerë

Kush mund e bën si do vetë,

bën si thotë Perëndia,

nukë ka në këtë jetë

gjë m’e vyer se liria.

 

1958 – Nikita Hrushovi bëhet Kryeministër i Bashkimit Sovjetik dhe sekretari parë i partisë komuniste sovjetike.

1981 – Lëvizja Solidariteti në Poloni shpall një grevë paralajmëruese, në të cilën të paktën 12 milionë polakë lanë punën për katër orë.

1990 – Qeveria amerikane fillon transmetimet TV Marti, për demokraci në Kubë. – TV Marti është element i Byrosë së Transmetimit Ndërkombëtar (IBB), siç janë edhe Zëri i Amerikës, Radio Sawa, Radio Free Europe / Radio Liberty, dhe Radio Free Asia.

Lindje

1845 – Wilhelm Röntgen, fizikan gjerman (vdiq më 1923)

1912 – Zihni Sako folklorist dhe shkrimtar shqiptar, (vdiq më 1981)

1949 – Dubravka Ugrešić, shkrimtare kroate

1970 – Mariah Carey, këngëtare e muzikës pop dhe r&b si dhe aktore amerikane

Vdekje

1625 – James I, mbret i Anglisë dhe Skocisë (lindi më 1566))

 

1968 – Jurij Gagarin, kozmonaut rus, njeriu i parë në kozmos (lindi më 1934)

 

Pin It