Kalendari historik, 7 mars

7 Marsi është dita e 66 e këtij viti, deri në fund të tij janë edhe 299 ditë.

322 pes – Vdiq Aristoteli, filozof  – lindur (384 pes) në Stagira pranë kufirit me Maqedoninë; i ati ishte mjek i familjes mbretërore të Filipit të Maqedonisë. Edhe Aristoteli shkoi në shkollë për mjekësi dhe më pas u dërgua në Athinë për të studiuar filozofi me Platonin. Kur Platonit vdiq, Aristoteli kishte shpresuar se do të merrte drejtimin e Akademisë dhe kur kjo iu mohua, pasi nuk ishte vendas, u vetëmërgua duke udhëtuar nëpër vendet e Azisë së vogël. Aristoteli u kthye në Maqedoni në vitin 338 pes, dhe u bë mësues i Aleksandrit të Madh. Kur Aleksandri pushtoi Athinën, Aristoteli u kthye në Athinë dhe krijoi një shkollë të tij, të njohur si Liceu. Pas vdekjes së Aleksandrit, Athina ngriti krye kundër sundimit maqedonas, dhe jeta e Aristotelit u bë e pasigurt. Për të shmangur dënimin e mundshëm me vdekje, si përkrahës i Aleksandrit, ai iku në ishullin Eube, ku edhe vdiq.

 

1887 – Hapet Mësonjëtorja e Korçës, shkolla e parë në gjuhën shqipe (quhet e para ndoshta sepse për herë të parë mësimi shqip kryhet në mënyrë të organizuar dhe në bazë të një programi mësimdhënës). Mësonjtorja kishte fillimisht 35 nxënës me 4 klasa mësimi dhe 1 klasë përgatitore. Lëndët ishin shkrimi, këndimi, gramatika e gjuhës shqipe, historia, gjeografia, aritmetika, dituria natyrore dhe edukimi fizik. 7 marsi festohet në Shqipëri si dita e mësuesve. Shkolla të tjera u hapën sipas këtij shembulli në mbarë trojet shqiptare. Vetë Mësonjëtorja e Korçës qëndroi e hapur për gati 15 vjet. Drejtues të saj ishin figura të njohura të Rilindjes shqiptare si, Pandeli Sotiri, Petro Nini Luarasi, Nuçi Naçi, etj.

 

Pin It