Kastraveci në Kur’an dhe në traditën Profetike

Kastraveci ishte një nga perimet e para që kultivohej sistematikisht në Lindje, për arsye se 95%  të tij përbëhet nga uji dhe përdorej kryesisht për të freskuar organizmin e për të shuar etjen. Ngrënia e tij mban të hidratuar lëkurën dhe zëvendëson sasinë e ujit që duhet të pihet në ditë. Kastraveci si perim përmendet edhe në Kur’an edhe në traditën Profetike.

Ka thënë Allahu i Madhëruar:

“Dhe kujtoni kur ata thanë: ‘O Musa, ne nuk mund të durojmë (hamë) vetëm një ushqim (të njëjtë), lute pra Zotin tënd për ne të na furnizojë me çka mbinë toka prej perimeve të saj, prej kastravecave, prej hudhrave, prej thjerrze (groshë) dhe prej qepëve të saj!” [Surja Bekare, 61]

Është transmetuar se Abdullah bin Xhaferi ka thënë:

“E kam parë të Dërguarin e Allahut (ﷺ) duke ngrënë kastraveca me hurma.” [Sunan Ibn Maxhe, Hadith 3325]

Nga Abdullah b. Xhafer transmetohet të ketë thënë: “Unë e kam parë të Dërguarin e Allahut (ﷺ) duke ngrënë kastravec me hurma të freskëta. [Sahih Muslim, Hadithi 204]

Komentuesit e haditheve thonë se Profeti a.s, këtë e bënte që të ekuilibronte nxehtësinë e hurmave me freskinë e kastravecit.

Ibn el-Kajjim ka thënë se kastraveci ka përfitimet shëndetësore e mëposhtme:

-Shuan etjen

-Qetëson dhimbjet e stomakut

-E dobishme për dhimbjet e fshikëzës

-Farat e tij janë diuretike.

Kastraveci ka një numër të pafund vitaminash dhe mineralesh për të cilat trupi ka nevojë: vitamina K, B dhe C, bakër, potasium dhe magnez. Kastraveci përmban gjithashtu polifenole, për të cilat thuhet se ulin rezikun e sëmundejve kronike.

Kastraveci mbron trurin sepse përmban anti-inflamator, flavonol, fisetin të nevojshme për trurin dhe kujtesën. Ai gjithashtu mbron qelizat nervore nga plakja.

Dr. Gerard, një botanist anglez i shekullit të 16-të, u rekomandonte pacientëve të tij lëng kastraveci për të luftuar problemet e mushkërive, të stomakut dhe kundër cisteve. Ai ishte i mendimit se kastraveci i mbushte venat me lëng rigjallërues. Studime të mëvonshme kanë provuar se kastraveci ka me të vërtetë mjaft veti kuruese.

Disa nga vetitë kuruese të tij janë:

•  Ka veti pastruese dhe rigjeneruese, duke ndihmuar në irritimet e lëkurës e sidomos të syve.

• Ai gjithashtu ka aftësi diuretike, çka e bën atë një faktor të rëndësishëm në mbrojtjen e organizmit nga infeksionet urinare.

• Kastraveci përmban disa substanca të quajtura sterole, të cilat ulin nivelin e kolesterolit në gjak.

 

 

Pin It