Katër cilësitë më të vështira për t’u arritur…

“Këto janë katër cilësitë që janë më të vështirat për t’u arritur: të falësh kur je i nevrikosur, të tregosh bujari edhe në kohët kur je ngushtë, ta ruash nderin edhe teksa je vetëm për vetëm me mëkatin dhe t’ia thuash të vërtetën ashtu siç është edhe njeriut të cilit i frikësohesh apo je i lidhur në interesa me të.” 

-Hz. Ali ibn Ebi Talib

1. Të falësh kur je i nevrikosur

I pari i këtyre parimeve, që është shprehur me fjalët “të jesh falës në çastet e zemërimit.” Në fakt, mundja e zemërimit dhe falja e tjetrit në ato çaste kur nevrikosja dhe zemërimi shkumëzojnë si magmë përbëjnë një çështje, e cila trajtohet gjerësisht në Kuran dhe u këshillohet të gjithë besimtarëve që ta kryejnë. Për shembull, me fjalën e tij fisnike “Ata të devotshëm që shpenzojnë për Allahun, si në kamje, si në kohët kur ndihen ngushtë; që edhe kur janë të nevrikosur (megjithëse kanë forcë për t’u hakmarrë) e shtypin zemërimin dhe i falin të tjerët (njerëzit).” [Surja Al-i Imran, 134]. Allahu na tregon se kjo është një prej tipareve dalluese të besimtarëve të devotshëm; madje, duke e vënë në pah se shtypja e zemërimit është diçka po aq e vështirë sa përtypja e një cope kaktusi. E patjetër, që edhe shpërblimi për një njeri që arrin t’ia dalë diçkaje të këtillë do të jetë i shumëfishtë.

2. Të tregohesh bujar edhe në kohët kur ndihesh ngushtë

Bujaria e njeriut të pasur, të cilit nuk i pakësohet asgjë prej stokut apo pasurisë prej asaj që u fal të tjerëve është e lehtë. E çfarë humbet nëse jep një lirë të vetme dikush që zotëron njëmijë lira! Ashtu si falja në çastet e zemërimit i bën thirrje emrit “Afuv-Falës” të Allahut (xh.sh.), edhe bujaria e treguar në kohë të vështira i bën thirrje emrit “Xheuad-paskajshmërisht Bujar” të Tij.  Allahu (xh.sh.) është shprehur: “Ata, që nuk ndiejnë asnjë shqetësim brenda vetes së tyre për ato që mund t’iu jepen besimtarëve dhe, edhe pse mund të jenë vetë nevojtarë, ata zgjedhin të tjerët para vetes.” [Surja Hashr, 59/9].

3. Ta ruash nderin edhe kur gjendesh fare pranë mëkatit

Në një hadith të Tij të bekuar i Dërguari i Allahut (s.a.s) thotë se në ditën e Kiametit, kur nuk do të ketë askund hije, janë shtatë grupe njerëzish, të cilëve do t’u bëhet hije mbi krye dhe pjesëtarët e njërës prej tyre do të jenë ata njerëz, të cilëve edhe pse femra të bukura dhe të pasura do t’i kenë thirrur në mëkat, ata do të refuzojnë menjëherë duke thënë: “Jo, unë i frikësohem Allahut!” [Buhari, zekat, 16; Muslim, zekat, 91]

4. Të thuash të vërtetën edhe në çastet më të vështira

Këto fjalë kanë këtë kuptim: që njeriu të thotë përherë të vërtetën, qoftë edhe kur gjendet përballë njerëzish të cilëve u frikësohet apo pret diçka prej tyre. Nëse njeriu nuk mban një qëndrim të drejtë përballë një njeriu, të cilit i frikësohet apo pret disa të mira që ky i fundit i ka premtuar, por angazhohet për të, vjen një çast që ai që e ka në dorë këtë pushtet i vë prangat, kularin në qafë, këmbët ia lidh me zinxhirë, duke e kthyer kështu në një skllav që nuk e do as vetë lirinë, derisa të mund t’i kërkojë atij ç’të dojë për të bërë. Siç e vërejmë edhe sot në plot raste, ky është një faktor tejet i rëndësishëm që përpiqet gjithnjë t’i vërë frerë njeriut që vepron në rrugë të drejtë, ia paralizon vullnetin, ia lidh duar e këmbë dhe ia këput krahët.

 

Pin It