KE miraton grandin 36 milionë euro të linjës Tiranë-Rinas-Durrës

hekurudhe

U mbajt në Londër mbledhja e Komitetit Drejtues të Instrumentit të Investimeve të Ballkanit Perëndimor (WBIF), mekanizëm i Komisionit Europian. Zv Ministrja e Integrimit Europian znj. Erisa Xhixho përfaqësoi Shqipërinë në këtë takim.

Në Komitetin Drejtues u miratuan projekte të cilat janë pjesë e Paketës Kombëtare të Projekteve Strategjike. Ato konsistojnë në dhënien e asistencës teknike si dhe për herë të parë në projekte të cilat lidhen drejtpërsëdrejti me investimet.
Për Shqipërinë, u miratuan 3 projekte ndër të cilat 2 projekte konsistojnë në dhënien e asistencës teknike, me specifikisht:

Projekti i zbatimit për by passin e Tiranes. Totali i investimit 133 milion euro. Granti i përfituar 1.5 milion euro. Projekti është pjesë e Paketës Kombëtare të Projekteve Strategjike që Këshilli Kombëtar i Investimeve ka miratuar.
U miratua gjithashtu Projekti i zbatimit për rehabilitimin e linjës hekurudhore Vora Hani Hotit. Totali i investimit 127 milion euro. Granti i përfituar 4.5 milion euro. Projekti është pjesë e Paketës Kombëtare të Projekteve Strategjike dhe pjesë e Core Network. Projekti do shërbejë si pikë strategjike në ndërlidhjen ndërkufitare.

Ndërkohë për investime nga 10 projekte te paraqitura nga rajoni u miratuan vetëm 3 , ku Shqipëria ishte një prej 3 projekteve fituese me projektin Rehabilitimi i Hekurudhës Durrës-Tiranë dhe ndërtimi i hekurudhës me aeroportin e Rinasit. Totali i investimit do të jetë 90 milion euro, ndërsa granti i përfituar 36 milion euro. Projekti është me rëndësi strategjike, pjesë e Paketës Kombëtare të Projekteve Strategjike.

Projekti do të ristrukturojë dhe integrojë rrjetin hekurudhor shqiptar me rrjetin Europian. Ka një impakt të madhe në axhendën e ndërlidhjes për Shqipërinë, pasi mundëson komunikimin e aeroportit dhe portin e Durrësit përmes korridorit Adriatiko Jonian. Gjithashtu projekti ka impakt të prekshëm ndër-rajonal përmes anëtarëve të SETTO (Maqedoni, Mali i Zi, Bosnjë, Serbi, Kosovë) dhe përmes Korridorit 8 me vendet anëtare të BE (Greqi, Bullgari) si dhe me Turqinë dhe më gjerë.

Pin It