Komisioni Europian rekomandon hapjen e negociatave me Shqipërinë, por ky rekomandim kushtëzohet nga zbatimi i reformave të ndërmarra së fundmi nga qeveria shqiptare.
KE publikoi Progres Raportin për Shqipërinë për vitin 2016 në të cilin vlerësohet progresi i vendit për të përmbushur 5 prioritetet kyçe të kërkuara nga BE.
“Shqipëria ka bërë progres të jashtëzakonshëm dhe KE rekomandon hapjen e negociatave me Shqipërinë. Por mbetet për t’u zbatuar reforma në drejtësi, ose Vettingu apo i njohur si ligji për vlerësimin e prokurorëve e gjyqtarëve”, u shpreh komisioneri per zgjerimin, Johanes Hahn.
Rekomandimi i KE-së do paraqitet në dhjetor para Këshillit të Ministrave të 27 vendeve anëtare të BE-së, i cili do të japë vendimin përfundimtar për hapjen ose jo të negociatave me Shqipërinë. Për këtë duhet vendim unanim nga vendet e BE-së, pasi vetëm edhe një votë e vetme kundër do të ndalonte procesin.
Ndërkohë kryeministri Rama e cilësoi rekomandimin e KE-së si rezultat të reformave të tre vjetëve të fundit.
“Vjen Lajmi i shumëpritur nga Komisioni EU: Rekomandim Pozitiv për hapjen e negociatave. Fruti më i bukur i 3 vjetëve beteja për Reformat”, shkroi Rama në rrjetet sociale.