Profeti (a.s) e falte gjithmonë namazin e natës, sepse gjatë natës ai kishte më tepër kohë që të kontaktonte me Krijuesin e Tij. Pikërisht, për këtë arsye Ai (a.s) ka thënë: “Namazi më i mirë pas namazit farz është namazi i natës” [Ebu Daudi dhe Ahmed ibn Hanbeli]. Kur për ndonjë arsye nuk arrinte ta falte namazin e natës, Ai (a.s) e falte kaza atë në mëngjes dhe këtë e bënte nga dëshira e madhe që kishte për të falur namazin e natës. Aishja (r.a) thotë: “Profeti (a.s.) falej gjithmonë gjatë natës. Nëse e zinte gjumi apo kishte dhimbje dhe si rrjedhojë nuk e falte namazin e natës, falte 12 rekate gjatë ditës” [Muslimi]
Dëshira e madhe për të adhuruar Allahun e Lartësuar – veçanërisht për të falur namazin – duket mjaft qartë në fjalën e Profetit (a.s) drejtuar Bilal ibn Rebahas: “Çohu o Bilal dhe na qetëso me të (ezanin)” [Ahmed ibn Hanbeli dhe Ebu Daudi], ndërsa në një hadith tjetër thotë: “Kënaqësia ime është tek falja e namazit” [Ahmed ibn Hanbeli, Nesaiu, Bejhakiu dhe Abdurezaku].