Muslimanët në të gjithë botën fillojnë të numërojnë mbrapsht duke pritur Ramazanin me motivim të pashembullt dhe shpresa të mëdha për të bërë shumë gjëra dhe për të marrë maksimumin e këtij muaji të shenjtë. Megjithatë, vetëm qëllimet nuk janë të mjaftueshme!
Gratë muslimane si gjithë të tjerët kanë shpresa të mëdha për muajin e bekuar, si dhe ngarkesa dhe detyra më të mëdha. Arritja e asaj që dëshirojmë në Ramazan lidhet fort me menaxhimin e kohës dhe planet reale. Gratë kanë më shumë detyra në Ramazan, sidomos nëse punojnë, megjithatë, ato ende kanë shumë mundësi për marrjen e shpërblimeve, gjë që e bën edhe më të rëndësishme që ato të rregullojnë dhe koordinojnë një shumëllojshmëri aktivitetesh vetëm brenda një muaji.
Bamirësia është një derë e hapur në të cilën gratë mund të marrin pjesë në mënyra të ndryshme, si psh. duke gatuar ushqim për njerëzit nevojtarë, me para të mbledhura nga të afërmit dhe miqtë për arsye bamirëse, etj. Ramazani konsiderohet një mundësi e shkëlqyer për fëmijët që të jetojnë 30 ditë në një përvojë gjithëpërfshirëse me agjërimin, lutjen, argëtimin dhe ndihmën e ofruar për të tjerët fizikisht ose financiarisht (sadakaja). Gratë gjithashtu kanë një rol shumë të rëndësishëm dhe vendimtar për t’i ndihmuar fëmijët e tyre të kuptojnë se çfarë është Ramazani dhe të organizojnë aktivitete argëtuese dhe edukuese që lidhen me muajin e shenjtë.
Secila femër ka përparësi, aftësi dhe rrethana të ndryshme, megjithatë, gjithësecila mund të përshtatet duke ndjekur disa këshilla për këtë muaj.
- Lutuni që Allahu t’ua bëjë kohën të bereqetshme dhe mos vendosni qëllime ekstreme për veten, të cilat nuk do të mund t’i arrini. Megjithatë mund të arrini shumë në qoftë se bëni një plan realist që shkon së bashku me aftësitë, përgjegjësitë dhe rrethanat tuaja.
- Mundohuni t’i thjeshtoni sa më shumë gjërat. Mos u mbytni me lista të gjata artikujsh ushqimorë që duhet të përgatisni çdo ditë në Iftar, vetëm sigurohuni që ushqimi të jetë i shëndetshëm, i mjaftueshëm dhe të ketë të gjitha elementet e nevojshme.
- Furnizojeni kuzhinën tuaj disa ditë para Ramazanit. Disa ushqime të cilat janë rezistente dhe mund të qëndrojnë në frigorifer, si mishi apo pulat, është mirë t’i siguroni disa ditë para Ramazanit. Ose mund të përgatisni lëngje të bëra vetë në shtëpi dhe t’i ruani në frigorifer, për t’ja lehtësuar punën vetes gjatë ditëve të muajit të shenjtë.
- Mbajeni shtëpinë gjithmonë të mirë-organizuar, në këtë mënyrë do e keni më të lehtë për të gjetur gjërat.
- Caktoni prioritetet tuaja. Bëni një plan duke filluar me detyrat më të rëndësishme të ndjekura nga ato më pak të rëndësishme për ju. Thjesht fokusohuni në gjërat më të rëndësishme dhe merruni me to në mënyrë efikase.
- Vendosni një orar për takimet dhe vizitat tuaja. Shmangni shëtitjet e panevojshme dhe shënojini diku datat dhe kohët e përcaktuara nëse mundeni. Ramazani është një kohë shumë e veçantë për ju dhe se ju duhet t’i jepni më shumë kohë lutjeve e veprimtarive të lidhura me to dhe mund t’i shtyni shëtitjet për më pas.
- Tregohuni të zgjuara kur ftoni dikë për Iftar. Thirrja e mysafirëve në Iftar pa dyshim ka një sevap të madh, dhe përhap lumturi për ju dhe mysafirët tuaj, por kjo mund të jetë një ngarkesë e madhe po ashtu, nëse nuk keni një plan të mirë për të zbatuar. Gatuani ushqime të thjeshta që nuk kanë nevojë për shumë kohë ose përpjekje. Përgatitni disa ose shumicën e pjatave një ditë më parë nëse mundeni, kështu që nuk keni të gjithë punën në të njëjtën ditë. Ose merrni dikë që t’ju ndihmojë me përgatitjen, ngritjen e tavolinës dhe larje të enëve nëse është e mundur, dhe nëse keni fëmijë, le t’ju ndihmojnë dhe ata gjithashtu.
- Bëni një listë në të cilën keni vënë detyra themelore, si dhe aktivitete shtesë, dhe këtë bëjeni për secilin fëmijë, kjo do të shërbejë si një kujtesë e mirë dhe si një alarm nëse vendosni më shumë ose më pak detyra. Mos thoni: “Do e bëj nesër!”, nëse keni vendosur një detyrë, bëjeni menjëherë, kjo do t’ju japë edhe një shtysë për të bërë më shumë.
- Mundohuni të pushoni e qetësoheni. Orari i mjaftueshëm i gjumit është shumë i rëndësishëm për ju që të jeni në gjendje të përfundoni gjithë muajin me të njëjtin ritëm.
- Ushqehuni sa më mirë. Ushqimi i shëndetshëm do t’ju japë energji për të punuar, lutur dhe për të kryer të gjitha detyrat tuaja. Shmangni ushqimet e shpejta dhe ushqimin me sasi të madhe yndyrash sa më shumë që mundeni, sepse kjo do t’ju bëjë më të përgjumura dhe dembele, përveç rreziqeve të shumta shëndetësore.
- Mundohuni të bëni ushtrime fizike. Shumë njerëz mendojnë se Ramazani është absolutisht koha e gabuar për të ushtruar, kjo nuk është e vërtetë. Ju mund të ndani disa minuta për t’u marrë me pak aktivitet fizik që e bëjnë trupin tuaj të fortë dhe t’ju bëjë të ndjeheni më mirë.
Këshilla për gratë që punojnë:
Është e panevojshme të thuhet se gratë që punojnë kanë një punë më të vështirë që kanë nevojë për më shumë kujdes dhe kontroll. Megjithatë, lajmi i mirë është se gratë që punojnë janë më së shumti të afta në menaxhimin e kohës, bërjen e listave dhe vendosjen paraprakisht të detyrave.
Të punosh në mënyrë efikase është një portë e rëndësishme për fitimin e Xhanetit, prandaj gjithnjë sigurohuni që po bëni një punë të shkëlqyer, e cila në thelb do të reflektojë në psikologjinë tuaj në një mënyrë pozitive.
- Llogariteni orarin tuaj me kujdes, që sipas orarit tuaj të punës, të keni kohë të mjaftueshme për të kaluar me familjen tuaj, për të fjetur, punuar dhe për të kryer adhurimet e nevojshme.
- Shfrytëzojeni kohën e pushimit dhe lëvizjes me mjete transporti për leximin e Kur’anit dhe Dhikrit.
- Ndihmoni kolegët tuaj myslimanë që të bëjnë më të mirën në këtë muaj të shenjtë duke shkëmbyer informacion dhe duke inkurajuar njëri-tjetrin.
- Përfshijeni sa më shumë familjen tuaj. Ju mund të merrni ndihmën e anëtarëve të familjes tuaj në përgjegjësitë shtëpiake.
Duhet ta dini gjithmonë se menaxhimi i kohës nuk është një mjet për të kryer më shumë detyra. Është më tepër një sistem që ju ndihmon të keni një vizion të qartë të asaj që doni të bëni, identifikoni përgjegjësitë tuaja, të ndiheni produktive, e cila më në fund do t’ju japë kontroll mbi jetën tuaj me një ndjenjë të fuqizimit.
Burimi: http://aboutislam.net
Përktheu: Spektrum.al