Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë në ndihmë të qindra familjeve në nevojë

Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë në kuadër të aktiviteteve humanitare, ka iniciuar nismën e gjendjes pranë qindra familjeve në nevojë. Ky projekt ka nisur me ndihmën ndaj 50 familjeve të fëmijëve jetimë të zonës së tërmetit në rrethin e Kurbinit, si dhe shumë familjeve të tjera në gjendje të vështirë ekonomike të zonës së Kurbinit, Durrësit dhe Tiranës, të prekur dhe nga dëmet e tërmetit të nëntorit 2019, si dhe të vënë dhe më shumë në vështirësi për shkak të përhapjes së virusit Covid 19 në vendin tonë.

Ky projekt humanitar vjen si një bashkëpunim i Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë me partnerë ndërkombëtarë, siç është organizata më e madhe botërore në fushën e paqes dhe dialogut, akredituar dhe nga OKB, “Religions for Peace” me qendër në New York, SHBA.

Projekti i shtrirë në zonat e lartpërmendura dhe në fshatrat e tyre, po zbatohet nga të rinj e të reja myslimanë e të krishterë, anëtarë të Departamentit të Gruas dhe Departamentit të Rinisë në Këshillin Ndërfetar të Shqipërisë, të cilët njëkohësisht përfaqësojnë edhe pesë komunitetet tradicionale fetare në Shqipëri, të cilët bashkëdrejtojnë edhe Qendrën e Këshillit Ndërfetar.

Nisma është çelur me shpërndarjen e ndihmave për familjet e jetimëve në Laç, aktivitet i zhvilluar nga KNFSH në bashkëpunim me Shoqatën Kombëtare të Jetimëve të Shqipërisë. Në këtë aktivitet morën pjesë përfaqësues të komuniteteve fetare, drejtues të bashkisë Kurbin, shoqërisë civile dhe përfaqësues të medias.

Më pas vullnetarët e rinisë së KNFSH-së kanë vazhduar me shpërndarjen e pakove ushqimore nëpër shtëpitë dhe familjet në nevojë në Kurbin, Durrës dhe Tiranë.

KNFSH tashmë është në ndjekje të disa projekteve me karakter humanitar, social, kulturor dhe më gjerë në kuadër të bashkëpunimit ndërfetar, duke rritur kapacitetet e aktivizimit të grave dhe të rinjve myslimanë e të krishterë, si fuqi e ndryshimit pozitiv dhe promovimit të dialogut ndërfetar në Shqipëri dhe përtej saj.

 

Pin It