Komedia “Kanarina blu” e Stefan Çapalikut mirëpritet në Festivalin Ndërkombëtar “Butrint 2000”

Komedia “Kanarina blu” e autorit dhe regjisorit të njohur Stefan Çapaliku, që trajton fatin e njerëzve të teatrit në ditët e sotme, u mirëprit në teatrin antik të Butrintit.

E shfaqur në kuadër të Festivalit Ndërkombëtar “Butrint 2000”, kjo pjesë përcolli tek artdashësit indiferentizmin e institucioneve, por dhe publikut ndaj teatrit e dramës shqipe.

Personazhet në vepër interpretohen nga Rita Gjeka, Merita Smaja, Sara Smaja, Kristiana Dodaj, Jozef Shiroka, Pjerin Vlashi, Simon Shkreli, Nikolin Ferketa, Pllum Gjona, Namik Jahja, Ilir Zoga.
Muzika është realizuar nga Fatmir Mesi, skenografia nga Divni Gushta dhe koreografia nga Gjergj Prevazi, skena dhe kostumet Divni Gushta, as/regjisor Astrit Fani, baletmaestër Muhamer Saiti, instrumentistë Ilir Zoga, Namik Jahja, Fatmir Mesi.

Autori dhe regjisori Stefan Çapaliku tregon për mediat se vepra teatrore “Kanarina blu” trajton fatin e njerëzve të teatrit në kohët që janë sot.

“Vepra teatrore trajton fatin e njerëzve të teatrit në një kohë si e jona. Ata kurrë nuk na kanë folur për veten. Shpesh i kemi perceptuar si njerëz të lumtur dhe të hareshëm, të aftë për t`i kapërcyer “pengesat” me një buzëqeshje a me moskokëçarje. Kësaj here ata kanë vendosur të demaskohen dhe të na përfshijnë në botën e tyre meskine dhe të epërme, mbushur me ëndrra dhe me dëshira të parealizueshme”, shprehet regjisori Stefan Çapaliku.

Sipas dramaturgut në vijim të kësaj ideje shfaqja ka elementë të rëndësishëm dhe muzikën apo kërcimin.

Stefan Çapaliku ka sjellë në skenën e teatrit dhe të tjera vepra teatrore që kanë gjetur vlerësimin e publikut. Ai njihet si një nga dramaturgët e vlerësuar shqiptarë veprat e të cilit nuk kanë munguar dhe në skena të huaja të teatrit.

Në edicionin e 15-të të Festivalit Ndërkombëtar “Butrint 2000”, që mbahet nga data 13-20 korrik, do të shfaqen “Shumë zhurmë për asgjë” me regji të Dimitri Khvtisiashvili nga Gjeorgjia, “Ruchardi i III” nga trupa e Teatrit Kombëtar të Kinës, “Ëndrra e një nate vere” me regji të Michalis Sionas nga Teatri “Thesis” i Athinës, trupa shkodrane me “Kanarina blu” të Stefan Çapalikut, si edhe “Variacione me motive nga këngëtarja tullace” me koncept e koreografi të Gjergj Prevazit. /ATA/

Pin It