Komshiu i Musait në xhenet…

Një ditë, Musai a.s. iu lut Zotit: “O Zot, cili është komshiu im në xhenet?”

Dhe iu dha kjo përgjigje: “Në filan vend është një robi Im që punon si kasap dhe që është miku Im. Por, përveç profesionit, ai ka një punë tjetër shumë të rëndësishme që, po ta ftosh, nuk të vjen. Ja, atë do të kesh komshi në xhenet!”

Musai a.s. u nis menjëherë për te kasapi dhe, pa i treguar se kush ishte, i tha:

“Kam ardhur mysafir tek ti.”

Dhe kasapi, duke treguar interesim të veçantë për këtë njeri fytyrënurshëm, që i kishte ardhur si mysafir dhe që nga çdo gjë duke se ndryshonte prej njerëzve të tjerë, e priti me buzëqeshje dhe e çoi në shtëpi. Atje e uli në krye të vendit, e nderoi dhe e gostiti. Poqi mish me duart e veta dhe ia vuri përpara. Ndërkaq, duke i kërkuar ndjesë se kishte një punë të rëndësishme, i tha të fillonte të hante pa e pritur atë. Pastaj, pjesën e vet të mishit të pjekur e copëtoi në kafshata të vogla. U ngrit dhe zbriti nga muri me kujdes një torbë dhe filloi të mëkonte me kafshatat e përgatitura një plakë të vogël të mbetur sa një zog. Kur mbaroi së ushqyeri, ia fshiu buzët mirë e mirë dhe i bëri pastrimin e përgjithshëm. E përkëdheli dhe e vari torbën sërish në mur me një kujdes të madh. Ndërsa ai bënte këto gjëra, ajo e uronte dhe e bekonte vazhdimisht.

Musai a.s., që e pati parë këtë torbë edhe në dyqanin e kasapit, por nuk pati pyetur, priti duke e ndjekur atë me mahnitje.

Kur kasapi e mbaroi tërë shërbimin dhe shkoi pranë Musait, pa se ai ende s’kish filluar së ngrëni, prandaj e pyeti:

“O mysafiri im, pse s’paske filluar?”

Musai i tha: “Pa ma treguar të fshehtën e kësaj torbës, nuk ha.”

Atëherë kasapi i tha kështu:

“O miku im. Plaka që ndodhet brenda në torbë, është nëna ime. Është shumë e moshuar dhe e pafuqishme. Dhe unë s’kam asnjeri që mund ta shohë. Që të mos e ngacmojë ndonjë kafshë kur jam i detyruar ta lë vetëm, e var torbën në mur. Disa herë edhe e marr me vete. Gjithë kënaqësia ime rrjedh nga shërbimi që i bëj. E ushqej dy herë në ditë dhe të gjitha shërbimet ia bëj me kënaqësi e dëshirë.

Musai e pyeti: “Mirë, duke ia bërë ti këto shërbime, ç’gjëra pëshpërit ajo?”

Dhe kasapi iu përgjigj:

“Sa herë që i shërbej, nëna lutet për mua: “Të bëftë Zoti komshi me Musanë në xhenet!” Dhe unë i them “amin”, ashtu qoftë, kësaj lutjeje të bukur. Mirëpo ku ai komshiu e ku puna ime që do t’i bëhem komshi atij në xhenet!”

Musai a.s., që gjer aty e pati fshehur se kush ishte, buzëqeshi e tha:

“O njeri i mirë. Unë jam Musai. Mua Allahu më dërgoi tek ti dhe më urdhëroi: ‘Atë personin që, duke i shërbyer pa asnjë të metë nënës së vet, fiton pëlqimin dhe bekimin e saj, ta kam caktuar si komshi në xhenet.’ Falëndero, o njeri, të qoftë i bekuar favori hyjnor!”

Me sytë plot lot, kasapi i puthi dorën me një dashuri të madhe Musait dhe e hëngrën ushqimin plot mirënjohje e falënderime.

Pin It