Konsullata e Italisë sjell nis sezonin dimëror me një koncert në Vlorë

Konsullata e Përgjithshme e Italisë në Vlorë, nis sezonin dimëror të eventeve kulturore, një program veprimtarish që organizohet në bashkëpunim me Bashkinë e këtij qyteti.

Në një konferencë të përbashkët për shtyp, Konsullja e Përgjithshme e Italisë në Vlorë, Luana Alite Michelini dhe kryebashkiaku Dritan Leli, prezantuan disa nga drejtimet kryesore të këtij sezoni kulturor, duke e vënë theksin tek bashkëpunimi, si një realitet që ka spikatur dhe po forcohet gjithnjë e më shumë.

Michelini e Leli, evidentuan dimensionet e këtij programi, ndërkohë që nënvizuan se përmes tij, jeta kulturore në qytet merr përmasa të reja. “Rikthim në kujtesë..”, është një sezon që, simbolikisht dhe realisht, sjell në vëmendjen e të gjithëve, objekte, ngjarje dhe vende historike”, u shpreh zonja Michelini, sipas të cilës, një numër aktivitetesh që do të zhvillohen në vende e sheshe të ndryshme në qytet, do të krijojnë një atmosferë ndryshe, që ka në bazë të shkuarën e përbashkët, miqësinë tradicionale dhe rrugën drejt njeri tjetrit. “Janë një sërë disiplinash si poezia, muzika, spektaklet, që do të na mbledhin së bashku gjatë këtyre javëve”, nënvizoi Konsullja e Përgjithshme e Italisë, e cila tha se, pikënisja e këtij sezoni do të jetë koncerti i madh i orkestrës filarmonike që do të zhvillohet mbrëmjen e të shtunës në Sheshin e Flamurit, nën drejtimin e maestro Zhani Ciko.

Nga ana e tij, Kryetari i Bashkisë, Dritan Leli, vlerësoi përpjekjet dhe bashkëpunimin me Konsullatën dhe zonjën Michelini, ndërkohë që, shtoi se, koncerti i madh i të shtunës në Sheshin e Flamurit, paralajmëron një atmosferë festive, të veçantë, ku qytetarët do të kenë mundësi të shijojnë muzikën klasike të kompozitorëve të njohur italianë dhe autorëve shqiptarë e vlonjatë, nën interpretimin e instrumentistëve virtuozë nga Vlora. “Rikthim në kujtesë”..është një gjetje e bukur, me një simbolikë të veçantë dhe shprehëse dhe që do të krijojë për qytetin e qytetarët vlonjatë, atmosferë ndryshe si edhe mundësi argëtimi e njohjeje.

Ai falenderoi Konsullen e Përgjithshme të Italisë në Vlorë, për gjithçka që po bën në këtë drejtim, ndërkohë që vuri në  dukje bashkëpunimin mes dy institucioneve, që po forcohet në vazhdimësi.

Aulon Naçi, kompozitor i njohur vlonjat dhe këshilltar për kulturën, bëri të ditur se, në koncertin që do të zhvillohet në datën 30 shtator, do të marrin pjesë rreth 50 instrumentistë vlonjatë, të cilët do të interpretojnë pjesë nga arie të operave të autorëve të njohur italianë dhe vlonjatë, si edhe pjesë të tjera instrumentale vokale shqiptarë, nën drejtimin e Zhani Cikos. Në koncert do të marrin pjesë sopranoja e njohur, Marjana Leka, tenori Armando Kllogjeri, baritone Ylber Gjini, instrumentisti vlonjat Sokol Toto, drejtor i Orkestrës Simfonike të RTSH. Në përbërje të orkestrës do të jenë instrumentistë vlonjatë që jetojnë e punojnë në Vlorë, Tiranë e gjetkë.

Gjatë këtij viti, Konsullata e Përgjithshme e Italisë në Vlorë, ka organizuar rreth 20 aktivitete, dukepërfshirë në to mjaft artistë e krijues, intelektualë, regjisorë, historianë, studiues nga Vlora etj.

Mes tyre përfshihet edhe “Netët e Kinematografisë Italiane në Vlorë”, një aktivitet që u zhvillua përgjatë 10 javëve në sezonin e verës, në një nga vendet më të spikatura në këtë qytet./ATA/

Pin It