Kosovë- Filmi “Hive”i Blerta Bashollit fitues i “Best Pitch” në PriFest 2017

Filmi “Hive”i regjisores kosovare Blerta Basholli dhe me producent Ylli Uka, u nderua me çmimin Best Pitch, në edicionin e nëntë të festivalit PriFest-it, që po zhvillohet në Prishtinë.

Në një postim në rrjetin social Facebook, regjisorja Basholli shprehet e lumtur dhe e nderuar për marrjen e këtij çmimi.

PriFest, nisi të enjten, 13 korrik, me një ceremoni ku mernin pjesë shumë të ftuar. Ndërsa mbrëmjen e djeshme në kuadër të këtij festivali mbërriti edhe regjisori fitues i dy çmimeve Oscar Paul Haggis.

Gjatë ditëve të festivalit deri në 20 korrik, do të shfaqen 13 filma nga mbarë bota, prej tyre 3 premiera botërore, të cilat shfaqen për herë të parë para publikut kosovar para se të shfaqen kudo në botë, si dhe 1 premierë ndërkombëtare, 1 premierë Europiane, 4 rajonale dhe të tjerat premiera kosovare. Të gjitha do të shfaqen për publikun Kosovar për herë të parë.

“The kite that flies on its own” film nga Gjermania, si dhe “Tisa” dhe “Once upon a time in Kosova” filma nga Kosova janë titujt e premierave botërore, të cilat do të shfaqen në programin Middle – Length, (metrazh i mesëm) bashkë me projekte të tjera nga vende të ndryshme të botës si nga Gjermania, Franca, Britania e Madhe, Zvicra, Belgjika, Irani, Izraeli, Republika Çeke dhe nga Kosova.

Të gjithë filmat në këtë program do të garojnë dhe vlerësohen nga juria ndërkombëtare për të marrë çmimin Silver Goddess (Hyjnesha e Argjendtë)./Ata/

Pin It