Krahët e nënës


Gruaja e re erdhi së bashku me foshnjën e saj në çerdhen më moderne të qytetit dhe iu drejtua burrit, i cili nga shkrimi i zbukuruar mbi tavolinë, nënkuptohej që ishte drejtori.
– Dëshiroj ta sjell këtu fëmijën tim, – tha ajo, – sepse kam dëgjuar që kujdesi më shkencor qenka ai i këtushmi.
– Saktë paskan thënë. – tha me mburrje drejtori. – Çdo gjë e jona ashtu është.
Gruaja e re ndjeu kënaqësi nga fjalët që dëgjoi.
-Shkenca është me të vërtetë diçka e bukur! – tha gruaja dhe, duke parë fëmijën, shtoi: – Shpresoj ta bëni të urtë këtë trazovaçe!
Drejtor i hodhi një sy fëmijës që lëvizte pa pushim në krahët e nënës dhe pyeti:
– Vajzë është dhe rreth moshës 1.5 – 2 vjeç apo jo?
– Po, po, – u përgjigj gruaja. Këto ditë kërkon edhe më tepër kujdes nga unë. Jam një njeri i shoqërisë, porse këto kohët e fundit mbeta gjithë ditën në shtëpi.
Drejtori nxori ca shkresa për t’u firmosur dhe tha:
– Marrëveshjen e lidhim vetëm për disa muaj. Në këtë mënyrë bëhet punë shkencore. Pagesa bëhet përnjëherësh dhe e plotë, njëkohësisht duhet të respektoni rregullat që përcaktohen këtu.
Gruaja e re lexoi me kujdes letrën që i zgjati drejtori dhe u hodh:
-Nuk ka rëndësi paraja për mua, ju paguaj menjëherë, por nuk e kuptova këtë rreshtin e fundit.
-Hëë!…. Po, ajo pikë është shumë e rëndësishme. – tha burri duke parë marrëveshjen. – Kërkojmë një rrobë tuajën, kjo mund të jetë një bluze apo një pulovër.
-Një pulovër? – tha gruaja e çuditur. – Po kjo ç’duhet?!
-Një përfundim i kërkimeve shkencore, zonjë! – tha burri me një seriozitet të madh.
-Me të e mbulojmë foshnjën kur fle, sepse i ngjan asaj me krahët e nënës.

Pin It