Kryeveprat e artit italian të 1900-ës prezantohen në GKA

33-8-264x200

Kryeveprat e artit italian të 1900-ës është ekspozita e parë që çelet në Galerinë Kombëtare të Arteve këtë vit. Nën kujdesin e Maria Catalano, Federica Pirani dhe Stefano Roffi, me mbi njëqind vepra të mrekullueshme, që vijnë nga Galeria e Artit Modern të Romës, ka për qëllim të prezantojë kulturën artistike të Romës në gjysmën e parë të shekullit të njëzetë, gjuhët që janë ndjekur, artistët dhe lëvizjet e referencës, duke kaluar nga Simbolizmi, Secesioni, Futurizmi, Klasicizmi i Ri, Shkolla Romane, Abstraktizmi.

Figura femërore të mrekullueshme, portrete të personaliteteve të famshëm, pamje të Qytetit të përjetshëm dhe të fshatit roman, natyrat e qeta janë subjektet kryesore të trajtuara nga protagonistët e ekspozitës, ndër të cilët bien në sy emrat Afro, Balla, Bocchi, Camellotti, Capogrossi, Carena, Casorati, Conti, Crali, De Carolis, Depero, de Chirico, de Pisis, Discovolo, Donghi, Dottori, Fillia, Funi, Gentilini, Guttuso, Levi, Lionne, Mario Mafai, Antonietta Mafai, Mancini, Manzù, Marini, Benedetta Marinetti, Melli, Monachesi, Pirandello, Prampolini, Sartorio, Savinio, Scipione, Severini, Sironi, Socrate, Spadini, Stradone, Tamburi, Tato, Turcato.

Në 5 pjesët e ekspozitës, nga vlerat simboliste të pikturës së peisazhit të fillimeve të shekullit kalohet në ankthin e rilindjes dhe modernitetit që artistët e pranishëm në ekspozita të Secessione romana jetojnë në vitet ’10, për të vazhduar me shpërfytyrimet futuriste dhe aeropiktorët e viteve ’20-’30.

Sipas organizatorëve të ekspozitës kjo ngjarje kulturore ka për qëllim të prezantojë atmosferën artistike romane dhe italiane në përgjithësi në gjysmën e parë të shekullit të XX.

Ekspozita shoqërohet me një katalog dygjuhësh në italisht dhe shqip, botuar nga Silvana Editoriale. Kjo ekspozitë do të  çelet më 16 janar e do qëndrojë për artdashësit deri më 2 prill 2017.

Pin It