Le të shikojë njeriu nga se është krijuar

Kur diskutohet për besimin në Zot, shumë njerëz (të thjeshtë apo të arsimuar) kërkojnë “çudira” të çastit, jashtë kornizës së njohurive të tyre. Kështu, lindja në tokën palestineze e një qengji, në lëkurën e të cilit gjendej e shkruar në arabisht “Zoti është më i madhi”, u shoqërua me diskutime dhe qëndrime të ndryshme nga shtresa të ndryshme të shoqërisë. Dikush shumë sinqerisht lavdëroi Zotin, duke njohur vulën e Krijuesit në këtë krijesë të re. Dikush heshti, duke dyshuar në vetvete. Dikush nuk besoi, duke iu bindur formimit të tij ateist.

Vërtet, fakte të tilla nuk janë të rastësishme. Ato kanë rëndësinë e tyre. Por, për dikë që mendon për botën rreth e qark tij, ka një pafundësi argumentesh që dëshmojnë Krijuesin. Pa u hallakatur shumë rreth e rrotull, të vështrojmë përciptazi trupin tonë. Filozofët e hershëm me të drejtë kanë shkruar se “kush njeh vetveten, njeh Krijuesin”. Ndërsa një dijetar bashkëkohor shton: “Detyra e parë dhe numër një e çdo njeriu është të zbulojë e të njohë vetveten dhe, në sajë të këtij zhvillimi cilësor, të orientohet nga Zoti i vet. Fatkeqët, që nuk e njohin veten, pra, s’e dinë se ç’janë, për çka edhe nuk munden të krijojnë lidhje me Krijuesin e Lartë, jetojnë si hamallët që bartin, por nuk dinë se ç’bartin dhe, po ashtu si ata, ikin nga kjo botë pa kuptuar gjë!”

Së pari, duhet të pranojmë që askush prej nesh (d.m.th. vetë qenia njerëzore) nuk e ka zgjedhur, apo akoma më tej, të ketë krijuar vetë kohën e ardhjes në jetë, formën fizike të tij, ndërtimin e organizmit dhe funksionimin e tij. Po ashtu, njeriu fizikisht (mish-kocka+gjak) të duket shumë i thjeshtë: një njeri me trup normal përmban aq yndyrë sa për të prodhuar 7 sapunë; sheqer, sa për të mbushur një kavanoz mesatar; karbon, sa për prodhuar 9000 lapsa; fosfor, sa për të prodhuar 2200 fije shkrepëseje; hekur, sa për të bërë një gozhdë 2.5 cm; përmban një lugë squfur dhe afërsisht 30 gramë metale të tjera.

Nga një përbërje shumë e thjeshtë (me sasi shumë të pakta lëndësh) është ndërtuar dhe funksionon në harmoni të mrekullueshme një organizëm i tërë. Ky është një argument i fortë që të bën të pranosh pa hezitim dhe përulje Krijuesin dhe madhështinë e Tij. Në të vërtetë, a nuk e lavdërojmë dhe pranojmë zotësinë e kuzhinierit, kur ai me pak asortimente gatuan një ushqim të shijshëm? A nuk habitemi me aftësitë inteligjente të inxhinierëve që televizorin, makinën llogaritëse, apo kompjuterët me llamba i transformuan në objekte shumë të vegjël (si në orë, telefona celularë etj.), që kërkojnë shumë më pak materiale? Pa dyshim që po. Atëherë, ngjashëm me këto, duhet të besojmë dhe lavdërojmë Allahun, Krijues, Formëdhënës, Udhëzues. “I Cili të krijoi, të përsosi dhe të drejtoi. Të formësoi në formën që Ai dëshiroi.” (Kuran, 82:7-8); që me diçka të pavlerë, bëri njeriun, këtë “makinë mishi e kockash” të mahnitshme.

“Vërtet, Ne e krijuam njeriun në formën më të bukur.” (Kuran, 95:4). Shkenca që mësojmë në shkollë, pikërisht këtë pohon. Ndërsa nga ne pritet që të falënderojmë Allahun dhe ta adhurojmë Atë.

Organizmi ynë përbëhet nga 10(16) qeliza. Vetëm truri, që përfaqëson 2% të peshës së përgjithshme të trupit, ka 12 miliardë qeliza nervore. Nëse këto do të renditeshin njëra pas tjetrës, do të krijohej një varg që do të arrinte deri në Hënë. Gjithashtu, sasia e informacionit të mbartur në qelizë ia kalon fondit të informacionit të kompjuterëve më të mirë të prodhuar ndonjëherë. Cili është vëllimi i këtij informacioni? Dihet që informacioni gjenetik i qelizës është shifruar në renditjen e bazave të ADN-së. Gjatësia e përgjithshme e të gjitha molekulave të ADN-së që gjenden në 46 kromozomet e qelizës arrin pothuaj 2m. Në qoftë se këtu do të ishin koduar jo aminoacidet, por shkronjat e alfabetit, atëherë ADN-ja e një qelize të vetme do të mjaftonte për të koduar rreth 1000 vëllime të plota. Në qoftë se të gjitha ADN-të që ndodhen në organizmin e njeriut, do të çmbështilleshin dhe do të lidheshin pas njëri-tjetrit, ato do të formonin një varg të gjatë që do të përshkonte tërë sistemin diellor. Këtu nuk ka kurrsesi rastësi. Me urdhrin e Allahut, të Gjithëfuqishmit, asgjëja bëhet diçka, e thjeshta fiton përsosmëri. “Ai është Njohës i të fshehtës dhe i të dukshmes, i Gjithëfuqishmi, Mëshirëbërësi. Ai që përsosi krijimin e çdo sendi e, krijimin e njeriut e filloi nga balta. Pastaj bëri që pasardhësit e tij të rrjedhin prej një pike uji të dobët. Mandej, Ai e formëson atë (në barkun e nënës) dhe nga ana e vet i jep shpirt atij dhe, Ai është që juve ju pajis edhe me dëgjim, me të parit e me zemër. E pak send është ajo që ju falënderoni.” (Kuran, 32:6-9)

Njeriu, me gjithë kompleksitetin e vet (me zemrën, mëlçinë, mushkëritë, sistemin nervor, muskujt etj.), e fillon jetën e tij nga një qelizë e vetme – qeliza vezë e pllenuar. Por, si ndodh që nga një qelizë e vetme të lindë struktura e secilit organ, të zhvillohen organet funksionale (të ndërtuara nga shumë qeliza) për të formuar organizmin? Embriologët akoma vazhdojnë të kërkojnë përgjigje për këtë pyetje. Ata, thjesht, konstatojnë këto fakte: “Fati i qelizës përcaktohet në etapën e hershme të jetës embrionale. Pak pas përcaktimit të rolit të ardhshëm të qelizës, kjo qelizë apo pasardhësit e saj fillojnë të përgatiten për kryerjen e funksionit të tyre.

Çdo qelizë sintetizon proteinat që duhen për kryerjen e detyrës, rriten, ndahen dhe grupohen për të formuar përfundimisht organin. Embriologët kanë konstatuar se ky proces kryhet me një përpikëri të pabesueshme. Dhe më tej: në trupin e njeriut çdo minutë vdesin 300 milionë qeliza; në qoftë se organizmi nuk do t’i zëvendësonte në mënyrë të vazhdueshme ato, të gjitha qelizat e trupit do të vdisnin për 230 ditë. Përballë këtyre argumenteve, çdo inxhinier duhet të dorëzohet dhe të pranojë që roboti-hekur (që ai me shumë përpjekje ka mundur të prodhojë) është si grimca e rërës ndaj shkretëtirës kundrejt njeriut.

Kemi parë nëpër ekspozita ku promovohen shpikje të njerëzve inteligjentë. Ndër to kemi parë robotë, që përmes telekomandave, vallëzojnë apo bëjnë ushtrime gjimnastikore. Por ata nuk mund të rriten vetvetiu. Ata ndryshken po të mos u bëhen shërbimet e duhura. Ne, qeniet njerëzore-spektatorë, habitemi dhe shprehemi me fjalët më të mira e lëvdata ndaj inxhinierëve “shpikës”, kurse vetë inxhinierët ndjehen krenarë për veprat e tyre. Çfarë paradoksi në të menduar!

Ne, çdo çast, çdo minutë, çdo orë e çdo ditë jetojmë me veten tonë, nga një qelizë e vetme jemi gatuar, rritemi, rinohemi e plakemi, ndryshojmë, shëndoshemi apo dobësohemi dhe nuk mahnitemi me robotin-njeri (që ka mbi 60 % ujë) e, më tej, nuk lavdërojmë e të shprehim mirënjohje për Krijuesin, të Gjithmëshirshmin.

Ky është një dallim cilësor që inxhinierët nuk mund ta kalojnë kurrsesi. Atyre e, së bashku me ta secili prej nesh, s’u mbetet gjë tjetër gjë veçse të pohojnë bindjen ndaj Allahut, të Vetmit, që jep jetë.

Sa qartë dhe bukur e shpreh (para rreth 1400 vjetësh) Zoti në Kuran këtë cilësi: “Ai është që ju krijoi ju prej dheu, pastaj prej një pike uji, pastaj prej gjaku të ngjizur, mandej ju bën të lindeni si foshnjë e më vonë të arrini pjekurinë, e pastaj të plakeni…” (Gafir:67)

 

Pin It