Leximi i Kur’anit në Ramazan

 

Ramazani, si institucion, është projektuar për të ringjallur zemrat tona, për të lejuar dritën e devotshmërisë (takua) që të shndërrijë brenda nesh.

Agjërimi gjatë ditës na përkujton se qëllimi jonë në jetë nuk është thjesht të përmbushin nevojat dhe dëshirat e egos tonë. Pikërisht kjo përkujtesë na shtyn të fokusohemi drejt ushqimit të shpirtit tonë.

Gjatë ditës ne edukohemi të boshatisim zemrat nga dëshirat e egos (nefsit) në mënyrë që t’i mbushim me dritën e Kur’anit.

Si rrjedhim, hapi tjetër i logjikshëm janë teravitë (falja e darkës gjatë Ramazanit), ku pas një dite të gjatë qëndrojmë duke dëgjuar Kur’anin gjatë faljes, në mënyrë që t’i japim shpirtit tonë ushqimin që aq shumë i nevojitet.

Ndërsa ambientohemi me këtë gjatë fazave të para të muajit dhe zemrat tona rigjallërohen dhe rinohen, ambiciet vijnë duke u shtuar, derisa në 10-ditëshin e fundit të Ramazanit qëndrojmë më vonë dhe më gjatë në lutje gjatë Tahaxhudit (falja e natës), në kërkim të shpërblimit të natës së Kadrit, duke recituar Kur’anin dhe kryer adhurim (ibadet) në mënyrë që zemrat tona të mbushen me ëmblësinë e adhurimit.

Allahu thotë: “Muaji i Ramazanit është ai, në të cilin ka zbritur Kurani, që është udhërrëfyes për njerëzit, plot me shenja të qarta për rrugën e drejtë dhe dallues (i së mirës nga e keqja).” (Bekare 2:185)

Fakti më interesant në lidhje me këtë ajet është se Allahu, kur përmend fillimisht Ramazanin nuk flet mbi agjërimin. Çfarë na vjen menjëherë në mendje kur mendojmë mbi Ramazanin? Zakonisht mendimi jonë i parë është agjërimi.

Allahu e shoqëron fillimisht Ramazanin me Kur’anin, si për të na thënë se roli kryesor i Ramazanit në jetët tona është që të forcojë lidhjen me Kur’anin. Vetëm pasi evidenton këtë, Allahu na urdhëron të agjërojmë këtë muaj.

Qëllimi i agjërimit është devotshmëria, dhe çfarë tjetër na ndihmon apo mundëson të bëhemi të devotshëm, përveç Kur’anit? Pra veprimi më i logjikshëm është që të përgatisim veten drejt vendosjes së një marrëdhënie të qëndrueshme me Librin e Allahut.

Siç përmendëm më sipër, agjërimi na trajnon të boshatisim zemrat nga dëshirat dhe aspiratat, drejt një qëllimi më të lartë, qëllim që mund të arrihet vetëm nëpërmjet ushqimit shpirtëror që na ofron Kur’ani.

Allahu thotë në Kur’an: “Ne i forcuam zemrat e tyre, kur u ngritën e thanë: “Zoti ynë është Zoti i qiejve dhe i Tokës. Ne nuk do t’i lutemi asnjë zoti tjetër, përveç Tij, sepse atëherë do të thoshim një gënjeshtër të madhe.” (Surja Kehf: 18:4)

Ky ajet flet mbi historinë e të rinjve të shpellës, kur ata u ngritën dhe u thanë njerëzve pranë tyre se adhuronin vetëm Allahun. Ata mundën ta bëjnë këtë vetëm sepse Allahu forcoi zemrat e tyre.

Sidoqoftë, elementi interesant që duhet të vërejmë është se ata hodhën hapin e parë drejt afrimit me Allahun dhe Allahu i forcoi zemrat e tyre pasi ata vendosën të rezistonin. Kjo do të thotë se ata duhet të përkushtoheshin në ndjekjen e të vërtetës dhe kur ky përkushtim u provua përmes veprimeve që kryen, Allahu ua lehtësoi përpjekjet dhe rrugën që duhet të ndiqnin.

Ngjashëm, në Ramazan, ne duhet të sigurohemi apo të përpiqemi të krijojmë këtë lidhje me Kur’anin. Pasi të bëjmë përpjekjen e parë, Allahu do të na e lehtësojë rrugën dhe ne do të fillojmë të shijojmë ëmbëlsinë e adhurimit dhe nënshtrimit ndaj Allahut.

Të përpiqemi të vendosim disa objektiva në lidhje me Kur’anin. Nëse nuk dini ta lexoni me saktësi, përpiquni ta mësoni. Nëse nuk e recitoni shpesh, përpiquni të gjeni kohë çdo ditë që ta lexoni. Nëse aktualisht jeni duke e recituar, atëherë mund të shtoni kohëzgjatjen ose frekuencën e recitimit.

Ky është muaji i Kur’anit prandaj ai meriton vëmendje të veçantë. Synimi jonë duhet të jetë të mos e ndërtojmë këtë lidhje vetëm për 30 ditët e Ramazanit, por të hedhim themele të forta, të thella dhe të palëkundshme për një marrëdhënie që do të lulëzojë gjatë njëmbëdhjetë muajve të ardhshëm.

Pin It