Lexo në librin e jetës

E Vërteta afër nesh, e ne larg nga E Vërteta
Kot që i etshmi jeton afër burimit, nëse s’pi prej tij, vdes nga etja
Nuk mund ta njohësh Të Vërtetën prej krijesave, por krijesat  prej Së Vërtetës
Nëse s’mund të ikësh nga hija jote, a mund të ikësh prej vetvetes?
O krijesë me trup, me mendje, me shpirt, ç’është hija jote?
A ekziston ajo njëmendësisht apo sytë t’i mashtron drita e kësaj bote?

Hidhe shikimin mbi veten tënde dhe shiko përtej shtatë qiejve
Ji kureshtar ta dish jo deri ku arrin rrezja e diellit por deri ku ajo s’arrin dot
Aty ku mbaron deti më i thellë e mali më i lart, fillon thellësia dhe lartësia jote
Lexo deri sa ta kuptosh se ti je vetë libër i gjallë që ecën në ekzistencë
Me ecjen tënde dëshmo se Dituria s’buron nga librat, por librat nga Dituria,
Se jeta nuk e mundësoi Dashurinë por u mundësua nga Dashuria,
Se dituria pa urtësi është zjarr të cilin njeriu e ndez për ta djegur veten,
Se gënjeshtrat s’do ekzistonin kurrë pa Të Vërtetën.

-Fatmir Muja

Pin It