Marrëdhënia gjyshër-nipër/mbesa, unike dhe shumë e nevojshme

  • Gjyshërit ofrojnë shoqëri të besueshme

Lidhja mes gjyshërve dhe nipërve e mbesave është me të vërtetë shumë e veçantë. Një studim i Shoqatës Amerikane të Psikologëve tregon se fëmijët i shohin gjyshërit si persona të besueshëm me të cilët mund të bisedojnë kur prindërit janë shumë të zënë dhe kjo i ndihmon ata të kenë sjellje dhe aftësi sociale më të mira.

  • Gjyshërit ofrojnë mbështetje emocionale për çështjet familjare

Gjatë rritjes fëmijët mund ta kenë të vështirë të ndajnë shqetësimet e tyre me prindërit, sidomos kur prindërit janë pjesë e problemit të tyre, dhe as me shoqërinë që mund të mos jetë shumë e besueshme. Në këto kushte gjyshërit mbeten personat më të sigurtë, teksa e gjithë bota duket “kundër” tyre.

Shpesh gjyshërit janë një hap larg problemeve të kohës dhe për fëmijët nënkuptojnë një fytyrë familjare të cilës mund t’i kthehen sa herë jeta duket e vështirë.

  • Gjyshërit transmetojnë historinë e familjes

Fëmijët që njohin të shkuarën dhe prejardhjen e familjes së tyre priren të jenë më të qëndrueshëm emocionalisht dhe më të lumtur. Në këtë mes gjyshërit mund t’i ndihmojnë fëmijët të njohin identitetin dhe veten e tyre. Studimet tregojnë se të paturit e një gjyshi/gjysheje që rrefen historitë e familjes dhe traditave familjare ndihmon që fëmijët t’i vijojnë këto tradita kur të rriten.

  • Gjyshërit iu ofrojnë fëmijëve një model udhëheqës për rritjen

Gjyshërit që jetojnë një jetë aktive pavarësisht moshës përbëjnë një model të shëndetshëm për fëmijët e vegjël. Qëndrimi që mbajnë gjyshërit mund të ndikojë fëmijët rreth mendimit se si do të bëhen ata me rritjen në moshë. Gjithashtu mund t’i ndihmojë të kuptojnë prindërit e tyre dhe rolin e tyre në të ardhmen si gjyshër.

  • Gjyshërit i ndihmojnë fëmijët të kuptojnë marrëdhëniet familjare më mirë

Të paturit e gjyshërve aktivë mund t’i ndihmojë fëmijët të kuptojnë se si funksionon familja. Ata mund të kuptojnë se prindërit e tyre kanë qenë dikur fëmijë gjithashtu, se gjyshërit kanë qenë më të rinj dhe se raportet në jetë ndryshojnë me kalimin e kohës. Lidhja me prindërve dhe gjyshërve e ndihmon fëmijën të kuptojë që konfliktet familjare mund të zgjidhen dhe kjo nuk e ndryshon dashurinë brenda familjes.

  • Gjyshërit ofrojnë një pikëpamje alternative për prindërit “gjykues”

Fëmijët sot duhet të marrin vendime të rëndësishme në lidhje me shkollën që do vazhdojnë, karrierën, shpenzimin e parave dhe gjyshërit kanë përvojën dhe urtësinë e duhur për t’i këshilluar. Ata gjithashtu mund të ndihmojnë në zbutjen e situatave kur prindërit ushtrojnë presion për të ndjekur një drejtim të caktuar. Gjyshërit mund të japin këshillat më të vlefshme edhe për tema në lidhje me moralin, fenë, përdorimin e drogës dhe alkoolit etj.

  • Gjyshërit iu mësojnë vlerën e familjes

Gjyshërit me sjelljen e tyre iu tregojnë fëmijëve që rëndësia e familjes e tejkalon momentin. Fëmijët e rritur me gjyshër janë më të prirur të vlerësojnë familjen dhe të ruajnë lidhjet familjare në të ardhmen.

  • Gjyshërit iu mësojnë fëmijëve aftësi të reja

Gatimi me gjyshen, mbjellja e luleve me gjyshin mund të jenë vetëm disa nga gjërat që fëmijët mësojnë nga ata. Gjyshërit iu mësojnë fëmijëve shpesh gjërat më të rralla që nuk mund të mësohen diku tjetër, duke i angazhuar ata me punë të ndryshme të vogla, për të cilat shpesh prindërit nuk kanë kohë.

  • Gjyshërit iu mësojnë fëmijëve të mos stresohen për gjëra të vogla

Gjyshërit kanë kaluar në jetë përvoja të shumta dhe kanë kuptuar se ngecja pas një pengese të vogël është e parëndësishme dhe nuk ndihmon askënd. Prandaj kur nipërit dhe mbesat stresohen për çështje të ndryshme ata dinë të thonë se çdo gjë do shkojë mirë dhe se asgjë në jetë nuk duhet t’i ndalë. Fëmijët e rritur me gjyshër janë shpesh më socialë, kanë më shumë besim tek vetja, janë më optimistë dhe më të matur.

  • Fëmijët me gjyshër aktivë në familje kanë jetë më të lumtur

Një studim i Universitetit të Oksfordit dhe Institutit të edukimit, Londër, tregon se fëmijët e rritur me gjyshër aktivë jetojnë jetë më të lumtura. Kjo nuk do të thotë që ky është faktori i vetëm ndikues, por ai ka një efekt të madh në mirërritjen e fëmijëve dhe suksesin e ture akademik, profesional dhe social.

Pin It