Mësuesi i Gjeografisë që ndryshoi mënyrën si u perceptua bota, el-Idrisi

 

El-Sherif el-Idrisi lindi në 1100 në Ceuta (qytet në Afrikën veriore, shumë afër Spanjës) dhe vdiq në 1165/1166 në Sicili. Ai ishte një pasardhës i Profetit Muhamed pas një linje të gjatë të princëve, kalifëve dhe njerëzve të devotshëm muslimanë shumë të rëndësishëm. Etërit e tij më të afërt, Hammudidët, ishin pasardhës të Idrisidëve, një dinastive marokene që mendohet të ishte formuar nga Hasan ibn Ali ibn Ebi Talib, nipi më i madh i Profetit Muhamed (s.a.s). El-Idrisi fitoi titullin e tij “el-Sherif”, që do të thotë “Njeriu fisnik” për shkak të prejardhjes së tij. Për fat të keq, nuk ka informacion të mjaftueshëm për fëmijërinë e tij në Ceuta. E vetmja gjë që dihet është se ai ka kryer arsimin fetar aty.

Në adoleshencën e hershme, El-Idrisi vizitoi shumë vende në Afrikën e Veriut dhe Andaluzi. Ai mblodhi informacione të sakta në të dy rajonet. Ai zgjodhi të qëndronte në Kordoba për të studiuar shkenca të ndryshme, në veçanti, gjeografinë. Pas përfundimit të studimeve, ai vendosi të largohej nga Kordoba dhe udhëtoi në shumë pjesë të Evropës Perëndimore, Spanjës Veriore, Portugalisë, bregut të Atlantikut Francez, Anglisë Jugore dhe Azisë së Vogël, kur ai ishte vetëm 16 vjeç. Më vonë, ai bëri udhëtime më të gjera në pjesë të ndryshme të botës. Sa herë që udhëtonte, ai mbante me vete dy gjëra të rëndësishme: një penë dhe letra, për të shkruar për çdo gjë që ai shihte dhe dëgjonte në të gjitha vendet që vizitoi.

Karriera e tij ndryshoi krejtësisht në vitin 1145, kur u ftua nga mbreti Norman i Sicilisë, Rogeri II. Mbreti Roger II njihet si një mbret intelektual i cili financoi përkthimin e veprave shkencore dhe filozofike arabe dhe greke në latinisht. Kur dëgjoi për El-Idrisin, udhëtimet e tij madhështore dhe veprat gjeografike, i dërgoi një letër në të cilën e ftoi të qëndronte në Sicili. El-Idrisi u takua me Mbretin Roger II dhe pranoi të qëndronte në Sicili. Ai i shpjegoi mbretit pozitën e tokës në hapësirë duke përdorur vezën për të përfaqësuar tokën. El-Idrisi e krahasoi tokën me vezën e bardhë, ashtu si toka në qiell është e rrethuar nga galaktikat. Në atë moment, Mbreti Roger II i kërkoi atij të bënte një hartë të botës për të dhe i premtoi atij t’i jepte gjithçka që kishte nevojë për të përmbushur këtë projekt të madh. El-Idrisi e pranoi sfidën dhe filloi me realizimin e kësaj detyre të madhe. Ai punoi hap pas hapi dhe shumë i vëmendshëm për të arritur qëllimin e tij.

Gjëja e parë që bëri El-Idrisi ishte formimi i një ekipi (i përbërë nga 12 burra) që do ta ndihmonin atë në përmbushjen e detyrës. Ai zgjodhi ata më të mirë që kishin njohuri për teknologjinë e re të lundrimit, matematikën dhe hartografinë. Nën mbikëqyrjen e tij të kujdesshme, 12 burrat lexonin gjithçka për teknologjinë e re të lundrimit, e dokumentuan atë, bënë llogaritje dhe mblodhën të dhëna.

Gjëja e dytë që ai bëri përveç mbledhjes së informacionit nga udhëtimet e tij, ishte mbledhja e informacioneve nga intervistat që bëri me marinarë që vizituan zonat për të cilat ai shkruante. Por kjo nuk ishte e mjaftueshme për Mbretin Roger II. Ai donte më shumë se kaq. Mbreti vendosi të dërgonte anijet e tij në zonat e pashkelura. Kështu që El- Idrisi mblodhi së bashku një grup me burrat më guximtarë dhe më me përvojë, të cilët u dërguan në zona të ndryshme të botës, për të përmbushur misionin e përcaktuar.

Kur ata u kthyen nga Lindja e Mesme, Lindja e Largët, Eurasia, Afrika dhe nga “një vend dimëror ku bie bora nga qielli dhe dielli kurrë nuk shkëlqen” (mund të ishte Islanda apo Groenlanda), ata e përshkruan atë se çfarë panë në detaje dhe i dhanë atij vizatimet e tyre. Çdo gjë u dokumentua nga 12 asistentët e tij. Puna e tij, tashmë filloi të merrte formë.

El-Idrisi filloi me përpilimin e një hartë botërore dhe një libri gjeografik siç bota kurrë nuk e ka parë më parë. Gjatë shërbimit të tij në Sicili ai realizoi 3 vepra të mëdha gjeografike gjatë 15 viteve: një planisferë argjendi mbi të cilën u hartua një hartë botërore, e përbërë nga 70 ndarje, të formuara prej ndarjes së tokës në veri të Ekuatorit në 7 zona klimatike me gjerësi të barabartë, secila prej të cilave u nda në 10 pjesë të barabarta nga linjat e gjatësisë dhe së fundi një tekst gjeografik i përcaktuar si çelësi i planisferës.

Vepra e madhe e El-Idrisit në gjeografinë përshkruese njihet si “Al-Kitāb ar-Ruxhari” (“Libri i Rogerit” ose në latinisht, “Tabula Rogeriana”). Planisfera e argjendtë ka humbur, por harta dhe libri kanë mbijetuar. Ai u përpoq gjithashtu të kombinonte gjeografinë përshkruese me atë astronomike. Për t’i falënderuar këtij gjeografi dhe hartografi të shkëlqyer, NASA i dha emrin “Malet e El-Idrisit”, vargameleve bregdetare të Sputnik Planum në Pluton.

Pin It