Minare në degët e Himalajeve…

 

Arkitektura Islame ka zënë një vend të veçantë në botë. Gjatë gjithë historisë, xhamitë kanë qenë fokusi i shumë ekspozitave arkitekturore në botën Islame. Kjo ka qenë si një frymëzim prej Profetit Muhamed (s.a.s) që ndërtoi xhaminë e parë në Medine. Struktura e saj ishte e thjeshtë, e përbërë prej shtyllave nga trungjet e palmave dhe çati nga gjethet e tyre.

Arkitektura e xhamive moderne ka evoluar shumë ditët e sotme. Kështu në Islamabad të Pakistanit është ndërtuar një xhami e cila është një vepër e shkëlqyer arkitekturore me një perspektivë moderne dhe quhet xhamia “Shah Faisal”. Pamja unike e xhamisë “Shah Faisal” është frymëzuar prej formës së çadrave të beduinëve. Beduinët kanë qenë fise nomade në Arabi dhe çadrat e tyre të shpejta janë një simbol i mënyrës së tyre të vështirë, por natyror të të jetuarit.

Mbreti Faisal ibn Abdul Aziz nga Arabia Saudite bëri sugjerimin dhe financoi ndërtimin e saj si një dhuratë për popullin e Pakistanit. Xhamia është projektuar nga një arkitekt turk Vedat Dalokay, dizajni i të cilit fitoi një konkurs ndërkombëtar të mbajtur në vitin 1969, në të cilin u paraqitën 43 propozime projektimi nga 17 vende të ndryshme të botës. Është projektuar pa kupola tradicionale ose harqe. Pas përfundimit të saj në vitin 1986, ishte xhamia më e madhe në botë deri në vitin 1993 kur u ndërtua Xhamia Hassan II në Marok.

Xhamia Faisal është ndërtuar në Islamabad, në bazën e Margalla Hills (kodrave Margalla) të cilat janë dega më jugore e Himalajeve. Është ndërtuar në një pjesë të ngritur të tokës dhe ofron pamje të mrekullueshme për shumë milje përreth. Struktura e tendës mbulon sallën kryesore të lutjes, e cila është zbukuruar me mermere dhe mozaikë dhe mund të mbajë 10,000 adhurues brenda. Kombinuar me oborrin dhe lëndinat, në xhami mund të kryejnë lutjen më shumë se 250,000 adhurues. Ai përmban një bibliotekë, sallë leksioni, një muze dhe një kafene. Gjithashtu, xhamia ishte kampusi i vjetër i Universitetit Islamik Ndërkombëtar.

Pin It