Mirëpritet vepra “EP” e kompozitorit shqiptar Vasil Tole

Premierë e suksesshme u konsiderua koncerti i të premtes mbrëma i Orkestrës Simfonike të Radio Televizionit Shqiptar ku u prezantua dhe u interpretua për herë të parë vepra “EP” e kompozitorit shqiptar, Vasil Tole.

Koncerti i shfaqur në skenën e Universitetit të Arteve u drejtua nga dirigjenti i njohur Eno Koço dhe përmbante gjithashtu simfoninë numër 1 të belgut Cesar Franc , koncertin për violinçel dhe orkestër të francezit Kamil Saint Sawns. Solist i këtij koncerti  ishte violinçelisti i njohur Aristidh Prosi, i cilësuar nga dirigjenti Koço si një nga instrumentistët më të mirë në Shqipëri.

“Kompozimi i një vepre muzikore të re është kënaqësi, por njëkohësisht edhe sfidë krijuese”, shprehet kompozitori Vasil Tole.

Kjo vepër, vijon ai, me titull “EP” vjen nga shkurtimi i fjalës Epos. “Janë dy elemente, e para është një vepër e re e krijimtarisë muzikore shqiptare, pasi veprat për orkestër apo kolektive të mëdha artistikë siç është baleti apo opera janë të rralla, sepse jane vepra që kërkojnë mbështetje dhe nuk bëhen për dëshirë. Kjo është vepra ime e dytë pas asaj që kam shkruar para dy vitesh për Orkestrën e RTSH”, nënvizon kompozitori i njohur.

Sipas tij, në kuptimin kompozicional është një rrëfim legjendar, pra një strukturë rrëfimtare në muzikë, jo përshkruese por thelbësore prej të cilës burojnë të gjitha elementët e kompozicionit vepër. “Për këtë vepër është marrë një motiv popullor, që tregon dhe vazhdimin e traditës së krijuesve më të njohur shqiptarë”, thekson Tole.

Në përfundim të koncertit i mirëpritur nga të pranishmit kompozitori Tole u ngjit në skenë për të përgëzuar instrumentistët dhe maestro Eno Koço.
Vasil Tole është diplomuar për kompozicion në Fakultetin e Muzikës, pranë Akademisë së Arteve në Tiranë, më 1987 në klasën e Prof.Kozma Lara. Përfaqësues aktiv i brezit të ri të kompozitorëve shqiptarë, Vasil Tole del si nismëtar i alternativave krijuese dhe si një ndër mbartësit më të vendosur të konceptit të ristrukturimit të lëndës muzikore foklorike shqiptare, në dobi të gjetjes së identitetit dhe risive në muzikën bashkëkohore. Njëkohësisht i përkushtohet një veprimtarie të gjerë studimore dhe publicistike, si dhe është pjesëmarrës në shumë festivale , konferenca dhe tryeza për muzikën në Shqipëri dhe jashtë saj.

Fitues i disa çmimeve të rëndësishme në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar, ndër to fitues i çmimit të parë të kompozimit “”Dimitris Mitropoulos”Athinë 2001 , me operën “Eumenidet”. Pas viteve ’90 së bashku me disa kolegë të tij të Akademisë së Arteve bëhet nismëtar edhe i themelimit dhe drejtimit të disa organizatave të rëndësishme muzikore. Në vitet 1997-1999 kryen detyrën e drejtorit të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit në Tiranë dhe në vitet 2001-2007 detyrën e drejtorit të Trashegimisë Kulturore në Ministrinë e Kulturës. Në vitin 2005 , si ekspert i etnomuzikologjisë përgatiti dosjen e e polifonisë me iso të Shqipërisë së Jugut , e cila u shpall nga UNESCO si “Kryevepër e trashëgimisë gojore të njerëzimit”. /ATA

Pin It