Mirësitë dhe bekimet e veçanta të përmendura në suren “Duha”

Zoti i Madhëruar, që në krye të sures “Duha”, ka urdhëruar e renditur mirësitë e bekimet e veçanta që i janë dhuruar Shpirtit Fisnik të Zotërisë së Mirësive, Profetit Muhamed (s.a.s), ndërsa në fund të sures, ka kërkuar prej Tij që t’i kujtojë e t’i shprehë këto bekime.

Surja nis me betimin në kohën e mëngjesit, në të cilën dielli është ngjitur e ka mbërritur gjendjen e tij të shkëlqimit të plotë, [Surja Duha, 1] ndërsa më pas është shprehur betimi në natën, në të cilën ka rënë muzgu e është errësuar krejt. [Surja duha, 2]

Të betuarit në çastin më të errët pasi është zënë be në kohën e shkëlqimit të diellit të mëngjesit, është një hollësi në të cilën duhet të ndalemi. Sepse në pikun kur errësira është në kulmin e vet, është horizonit i çeljes së dritës. Ajo errësirë e thellë që mbështjell mjedisin, do të thyhet me agimin. Sado që çasti më i errët pasohet fillimisht nga një agim i rremë, sipas qasjes së Mësuesit të Nderuar, agimi i rremë është shenjë e agimit të vërtetë. Sepse pas saj, nata e vazhdueshme do të marrë fund.

Zoti i Gjithëfuqishëm, pasi përmend pikërisht këto dy hollësi, urdhëron e thotë: “Allahu ty as s’të ka përbuzur e as s’të ka braktisur.” [Surja Duha, 3] Shprehja “s’të ka braktisur” që është përmendur këtu, është përdorur me domethënie të përforcuar. Siç dihet, rendi i shenjimit të përforcuar shpreh përforcim në domethënie. Sipas kësaj, kuptimin e lartë të këtij ajeti të shenjtë mund ta shprehim në formën: “Allahu ty kurrsesi, assesi nuk të ka braktisur.” Mund të thuhet ndryshe: “Allahu të ka konfirmuar kurdoherë me praninë e Vet.”

Ndërsa një ajet më pas, shprehet një tjetër sihariq plot mirësi e bekim me fjalët: “Pa dyshim që për ty, gjithmonë, fundi i çështjes është më i mirë sesa kreu, se gjendja e fundit është më e mirë se gjendja më e hershme.” [Surja Duha, 4]

Kur mendojmë në kuptim të përgjithshëm, mund të themi se, së pari, e personalisht atij të Dërguari Fisnik e të Pashoq dhe së dyti, e në tërësi bashkësisë së Tij u është dhënë sihariqi i së nesërmes në krahasim me të sotmen, i gjendjes aktuale në krahasim me gjendjen e mëpasme, i çeljes së kufizuar në qendër krahasuar me shtrirjen e gjerë të rrethit, dhe në përfundim, krahasuar me këtë botë, sihariqi i Parajsës dhe kulmimi i saj me të Shikuarit e Allahut.

Në rendin e mirësive e të bekimeve të veçanta që i janë falur Zotërisë sonë, të Dërguarit Fisnik, ky sihariq zë një vend të posaçëm. Sepse sipas rregullit “Kush bëhet shkak për diçka, është si të ishte vetë realizuesi i saj”, [Muslim, Imaret 133; Tirmidhi, Ilm 14; Ebu Davud, Edeb 115] duke qenë se vargu i vlerave që gëzon sot njerëzia rrjedh në zemrat e tyre prej duarve dhe kraharorit të të Dërguarit të Allahut (s.a.s.), mirësia e veprave të kryera prej tyre, në njëfarë mase, shkruhen edhe në librin e veprave të tij. Nëse prej këtyre, një miliard, pak a shumë, falin namaz, atëherë një miliard njerëz i dërgojnë përshëndetje e selame Zotërisë sonë, Nderit të Gjithësisë, pesë herë në ditë. Veç kësaj, edhe jashtë namazit, me raste e shkaqe të ndryshme, besimtarët luten çdo ditë për Të dhe i dërgojnë përshëndetje e selame.

 

Pin It