Mjetet elektronike, problem serioz për shikimin e fëmijëve

Mjetet elektronike si smartphonët,iPad-ët, duke qëndruar për një kohë të gjatë në duart e fëmijëve ka bërë që të shtohen edhe problemet  me shikimin.

Në fillim të klasës së parë, ata janë të detyruar të shkojnë te okulisti pasi nuk mund të regjistrohen pa fletën e kontrollit, por kjo nxori në pah problemet me sytë te të vegjlit.Nga 60 vizita në ditë, pothuajse një e katërta e tyre rezultoi me probleme.

“Pak dolën me strabizëm, por kjo mund të jetë edhe e lindur dhe pastaj të tjerë që kishin nevojë për syze”, thotë doktoreshë Suzana Zhuka, mjeke okuliste.

Ndonëse shifra është alarmante, mjekët kritikojnë prindërit të cilët të dhënë pas angazhimeve të tjera nuk merren me fëmijët, por gjejnë mënyrën më të lehtë duke u dhënë në dorë telefonin e tyre.

“Sigurisht gjykojmë prindërit. Janë ata fajtorët kryesorë. Muskuli i syrit të fëmijës nuk është forcuar ende që të mund të përqendrohet në një ekran të vogël”, shprehet Zhuka.

Ndonëse ka një ndërgjegjësim në rritje, sërish fëmijët kalojnë orë të zgjatura para ekranit të televizorit, kompjuterit apo telefonit dhe “iPad”-it duke dëmtuar në mënyrë të vetëdijshme shikimin.

 

Pin It