Moratoriumi i gjuetisë risjell lejlekët në vendin tonë

Lejlekët e bardhë, këta shpendë tradicional dhe sot të rrallë në Shqipëri, janë kthyer tashmë dhe po bëhen gati të folezojnë. Janë parë një çift që ndërtojnë folenë në një shtyllë të tensionit të lartë në zonën e Myzeqesë. Specialistët e faunës së egër thonë se ata po e ndërtojnë çerdhen në të njëjtin vend sikurse një vit më parë.

Në vitin 2017, kishte vetëm 4-5 fole lejlekësh në Shqipëri. Një fole ndodhej në një shtyllë elektrike dhe të tjerat në disa këmbare kishash duke treguar kështu se shqetësimi nga njeriu është faktor kufizues.

Ndërkaq, në vitet 1950, lejlekët ishin me qindra dhe mëse të zakonshëm në çdo qendër të banuar të Ultësirës Perëndimore dhe zonave të tjera ligatinore të Shqipërisë si Maliqi dhe Korça, Narta dhe Vlora, Tërbufi dhe Lushnja, Karavastaja dhe Divjaka, Durrësi, Lezha, Velipoja etj.

I konsideruar si një shpend fatsjellës, kjo specie është respektuar që në kohë të hershme dhe në  një bazoreliev që ndodhet në Muzeun e Apollonisë është gdhendur figura e një lejleku.

Zhdukja e tyre lidhet fillimisht me tharjen e kënetave si hapësira të parapëlqyera për të siguruar ushqimin. Kjo rënie fillestare e numrit të tyre  u shtua më tej me intensifikimin e bujqësisë dhe përdorimin e pesticideve, urbanizimin, zhvillimin industrial, rritjen e infrastrukturës dhe të përdorimit të burimeve natyrore si nafta dhe gazi.

Sot ata kërcënohen edhe nga shqetësimi prej njeriut, elektroshoku dhe përplasja me linjat elektrike të tensionit të lartë.
Specialistët e faunës së egër thonë se ata mund të rikthehen përsëri në Shqipëri vetëm nëse ndërmerren masa mbrojtëse e menaxhuese, informuese në komunitetet ku ata folezojnë./ATA/

Pin It