Nasihah, ose këshilla e sinqertë në Islam

Kuptimi gjuhësor i termit nasihah është ‘këshillë e sinqertë’, ‘këshillë miqësore’ dhe ‘përkujtim miqësor’. Nasihah (gjithashtu munasahah) është një koncept kuranor që gjendet në shumë vende të librit të shenjtë, veçanërisht kur flitet për qëllimin dhe funksionin e profetësisë. Kështu ne lexojmë se profeti Nuh, Salih, Hud dhe Shuajb, paqja qoftë mbi ta, të gjithë njoftuan popujt e tyre se natyra e misionit të tyre ishte paralajmërimi, një funksion përmbushur më së miri nga këshilla e sinqertë (nasihah). Profeti Nuh i ka thënë ndjekësve të tij “Unë ju jap një këshillë të sinqertë”, dhe ‘unë jam për ju një këshillues besnik (nasihun emin)”. [Surja Araf, 62, 68; gjithashtu edhe versetin 79 dhe 93]

Nasihah duhet dalluar nga qortimi (teubikh), duke qenë se ato mund të kenë shumë aspekte të përbashkëta e kjo mund të bëhet shkak për ngatërresa dhe turbullira. Sipas imam Gazaliut dallimi themelor ndërmjet nasihas dhe teubikh-ut qëndron në faktin se e para është e fshehtë dhe kryhet në mënyrë të sjellshme, ndërsa e dyta është publike dhe jo e heshtur. Ky këndvështrim i imam Gazaliut është në harmoni me këndvështrimin e imam Shafiut, i cili pohonte se kur një person këshillon vëllanë e tij mënyrë të fshehtë, ai po jep një nasihah, por nëse ai i predikon atij haptazi ai, në këtë mënyrë, e ka talluar dhe i ka ulur vlerat atij. Të dy këto këndvështrime mund të shihen si komentarë të hadithit në të cilin pohohet se: “Ai i cili jep këshillë është një njeri i afërt”. Sipas një hadithi tjetër, “Kur ndonjëri prej jush i jep një këshillë vëllait të tij, le ta veçojë atë nga shoqëria e të tjerëve.” [El-Makdisi, ‘El-Adab’, I, fq. 328]

Thelbi i nasihas në Islam është që të nxisë një sjellje vigjilente por të kujdesshme të besimtarëve, nga të cilët pritet që të mbrojnë dhe të ruajnë vlerat morale dhe religjioze të Islamit. Kështu, individit i është dhënë e drejta për të dhënë këshilla të sinqerta të tjerëve kur ai është i bindur për dobinë thelbësore të kësaj këshille. Nasihah kryesisht është parë si një pjesë integrale e hisbas (parimi islam i urdhërimit për mirë dhe ndalimit nga e keqja), vetëm me një përjashtim, që theksi tek nasihah bie mbi një prej dy aspekteve kryesore të hisbës, d.m.th. urdhërimi për të mirë (emr bil ma’ruf) më shumë se sa në ndalimin nga e keqja. Në këtë mënyrë, nasihah e merr për të mirëqenë të drejtën e çdo individi për të formuar një opinion apo këshillë në të cilën ai/ajo sheh dobishmëri, si dhe të drejtën për t’ia përcjellur në fshehtësi atë të tjerëve, qoftë ky një qytetar i thjesht apo një lider qeveritar.

Hashim Kemal, ‘Freedom of Expression in Islam’, Islamic Texts Society, 1995, f. 34-39.

Burimi: profetimuhamed.info

Pin It