Nata e mirë e dytë, nata e namazit dhe dhuratave më të bukura

4222626-magic-of-universe

 

Kishte afro 12 vite që pejgamberi Muhamed a.s. predikonte fenë Islame, që i ftonte banorët e Mekës dhe të rrethinave, të besonin në një Zot të Vetëm e ta adhuronin Atë – Krijuesin e gjithçkaje, pa shok e ndërmjetësues, të besonin në Ditën e Gjykimit, ditën kur do të paraqiten para Zotit për t’u ballafaquar me punët e tyre të regjistruara, sado të vogla të kenë qenë ato. Parimi i Teuhidit (Njësimit) që po predikonte profeti Muhamed, normat e larta morale që po praktikonte dhe hapat e vegjël, por të sigurt e të suksesshëm, që kishte hedhur në formimin e një grupi shoqëror të përkushtuar dhe solid besimtarësh, bëri që në zonën e Mekës së shekullit VII (e.j.) të lëkundeshin qartësisht zakonet dhe marrëdhëniet sociale të ndërtuara mbi bazën e skllavërimit, rrëmbimit të pasurisë, forcës së pushtetit me pa të drejtë, besëtytnive dhe veseve (kumari, alkooli, imoraliteti, falli), konflikteve ndërfisnore, dhunimit dhe nënçmimit të skajshëm të femrës, të fukarenjve e shtresave në nevojë etj. Paria mekase, duke ndjerë valën që po i përmbyste të ardhmen, kundërveproi mjaft ashpër ndaj profetit Muhamed dhe përkrahësve të tij: pengonte faljen e besimtarëve në Qabe; nuk lejonte kumtimin e besimit Islam në mjedise të ndryshme publike; fyente, përndiqte e persekutonte pasuesit e Muhamedit deri në eliminim fizik të tyre. Në këto kushte represioni, një grup myslimanësh u detyrua të merrte rrugën e emigrimit në Abisini. Pjesa tjetër që qëndroi në Mekë, u gjend edhe në situatën e përballimit të sakrificave që sjell izolimi shoqëror-ekonomik. Për rreth 3 vite myslimanët u bojkotuan nga shoqëria mekase: u ndalua çdo marrëdhënie sociale me grupin e myslimanëve, nuk u lejuan të mbanin madje edhe lidhjet farefisnore, si dhe nuk u lejohej të merreshin me aktivitetet ekonomike bazike për mbijetesë. Profeti Muhamed bëri përpjekje të gjente shpresë në Taif (një zonë afër Mekës), por edhe atje e dëbuan në mënyrë të dhunshme. Dëshpërimi i tij u shumëfishua me vdekjen e bashkëshortes Hatixhe dhe xhaxhait Ebu Talib, dy njerëzit që më së shumti e përkrahën dhe e mbrojtën. Ky vit quhet edhe “viti i hidhërimit”. Në këtë situatë tejet të rënduar, Allahu e ftoi pranë, për t’ia bërë me dije se nëse në tokë të kanë vdekur “mbrojtësit”, në qiej ke Allahun, që nuk vdes dhe që nuk të lë të pambrojtur. Ja pra, 12 vite më parë, në Malin e Dritës, Allahu, nëpërmjet ndërmjetësit të Tij – engjëllit Xhibril – i shpalli dhe i besoi pejgamberit Muhamed kumtimin e fesë Islame, pas 12 vitesh sprova, qëndrueshmërie, vendosmërie e durimi të lartë, tashmë kishte ardhur koha që Vetë Krijuesi i Gjithëmëshirshëm ta ftonte në takim të drejtpërdrejtë të përzgjedhurin e Tij, të dërguarin e Tij për gjithë njerëzimin, Muhamedin e Nderuar. Allahu, Shpikës i universit dhe ligjeve të tij, ia mundësoi profetit Muhamed a.s. të kryejë Isranë dhe Miraxhin.

“I Madhëruar është Allahu që robin e Vet e kaloi në një pjesë të natës nga Mesxhidi Harami (prej Qabes) në Mesxhidi Aksa (xhamia Aksa në Jerusalem), mjedisin e së cilës Ne e kemi bekuar, (ia bëmë këtë udhëtim) për t’ia treguar atij disa nga argumentet Tona. Vërtet, Ai është dëgjuesi, pamësi (i punëve të Muhamedit).”

(Kuran, 17/ 1)

“… Zemra nuk e mohoi atë që e pa (me sy). A po i bëni polemikë atij për atë që e ka parë? Atë (Xhibrilin) e ka parë edhe herën tjetër. (E ka parë) te Sidretul Munteha. Që pranë saj është Xhennetul Me’va (kopsht strehimi i …). Atëherë kur Sidrën e mbuloi çka e mbuloi. Shikimi (i Muhamedit) as nuk lakoi e as nuk tejkaloi. Ai, (Muhamedi) vërtet, pa disa nga shenjat më të mëdha të Zotit të vet.”

(Kuran 53/ 2-18)

Ngjarja e natës së 27-të të muajit Rexhep të lë përshtypjen e fantazisë. Por, shikuar në prizmin e teorive fiziko-matematikore bashkëkohore, ndoshta mund të dallohet një ngjyrim shkencor për ndodhinë e Israsë dhe Miraxhit: Udhëtimi i Muhamedit gjatë Israsë dhe Mi’raxhit mund të jetë kryer sipas “urave relativiste” (të quajtura figurativisht “vrima krimbi”). D.m.th. pejgamberi Muhamed, i orientuar nga engjëlli Xhibril, kanë shfrytëzuar “urat relativiste” (apo “tunelet-kohore”) për të përshkuar në çast dy etapat e udhëtimit: Isranë (Mesxhidul Haram/Mekë – Mesxhidul Aksa/Jeruzalem) dhe Mi’raxhin (ngjitjen deri në Sidretul Munteha/kufijtë e njohjes njerëzore, qiejt e sipërm/ e më tej para vendtakimit të planifikuar për bisedën me Zotin).Me urdhrin e Krijuesit, të Plotfuqishmit, të Dijshmit, engjëlli Xhibril e shoqëroi dhe e drejtoi Muhamedin për tek “urat relativiste” (“shtigjet kohore”), që të kryente udhëtimin në kozmos vajtje-ardhje pa “shpenzuar” kohë. Është i njohur përfundimi teorik i teorisë së relativitetit se koha ndalon rrjedhën e saj nëse lëvizja e objektit bëhet me shpejtësinë e dritës. Në përputhje të plotë me këtë koncept përshkruhet “mjeti”, me të cilin u krye udhëtimi. Ai ishte një si “kafshë e bardhë” (prej drite) e quajtur “burak” (sipas Buhariut). Fjala “burak” vjen nga fjala“berk”,që do të thotë “rrufe”, d.m.th. dritë. Pra kjo qenie lëvizte me shpejtësinë e dritës. Gjithashtu pejgamberi Muhamed i është nënshtruar edhe një operacioni fizik në kraharor (kryesisht në zemër), me qëllim përshtatjen, forcimin dhe përballimin e udhëtimit.

Gjatë udhëtimit, Muhamedi vrojtoi panorama të kozmosit. Pra, atij iu bë e mundur që të shohë argumentet e madhërisë së Allahut, të shikojë ngjarje e ndodhi të ndryshme, në të cilat manifestohet fuqia e Krijuesit. Njeriu ishte mësuar t’i shihte yjet, diellin dhe hënën, nga toka dhe, për ato, ai rrekej të gjente të vërtetën. Por, bashkë me të, thurte fantazi e të pa vërteta. Kurse Muhamedi i vrojtoi konkretisht, me sytë e tij, mrekullitë e kozmosit dhe ç`kishte atje, duke u përgatitur për ç`ka po shpalleshin ajetet e Kuranit lidhur me universin. Pamje madhështore dhe të këndshme, dritë që qetësonte e gëzonte njëherësh sytë dhe zemrën, ndjenja kënaqësie të papërshkruara. Pas përjetimeve të mrekullueshme të bukurive dhe të harmonisë në bahçen kozmike, i gjendur afër sa dy harqe me Zotin e Madhëruar, Bujar dhe Fisnik, Muhamedi a.s., përfaqësuesi më i denjë i njerëzimit, dëshmon në emër të tij, tërësisht i bindur para Allahut, Krijuesit, të Plotfuqishmit, të Gjithëditurit, kryefjalën, për të cilën ishte dërguar dhe për të cilën merr kuptim gjithë krijimi, njeriu dhe jeta: “Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër që meriton të adhurohet përveç Allahut dhe se Muhamedi është rob i Tij dhe i dërguar i Tij!” Përmes Israsë dhe Miraxhit, profeti Muhamed arrin konkretizimin e rrugëtimit dhe meditimit të profetit Ibrahim, i cili kulmon me nënshtrimin e plotë ibrahimian ndaj Krijuesit të Plotfuqishëm.

Natyrshëm, takimet e rëndësishme kanë edhe mesazhe madhore për krijesën njerëzore. Allahu urdhëroi faljen e 5 vakteve namaz, si akti më i përsosur, më i plotë, më universal dhe më harmoniku për t’i dhënë vlerën e duhur dëshmisë (shehadetit) “Nuk ka Zot tjetër që meriton të adhurohet përveç Allahut dhe se Muhamedi është i dërguar i Tij!” Namazi është përkufizuar si shtylla e fesë. Ai është i vetmi adhurim i obliguar drejtpërdrejtë nga Allahu. Pejgamberi Muhamed (a.s.) e ka cilësuar namazin si “Miraxhi i besimtarit”, d.m.th. namazi është veprimi që i mundëson gjithkujt të përjetojë lartësimin shpirtëror. Namazi është forma më e përkryer për t’i shprehur mirënjohjen dhe falënderimet Allahut Mëshirëplotë. Namazi është ngritje, afrim te Allahu. Profeti Muhamed shpesh theksonte se në namaz gjente kënaqësinë më të madhe, se namazi për të paraqet çastet më të lumtura, më admiruese, më të gëzuara, më të qeta dhe më entuziaste…” “Përmes namazit, duke u lidhur me Burimin e Fuqisë, njeriu shpirtërisht forcohet dhe freskohet.” (“Islami në kohë” Hysein Gjozo, Shkup 1993, f. 78-84) “Namazi është prehja e shpirtit, shëtitja e ndërgjegjes … Namazi është … ndriçim ritmik i jetës shpirtërore të njeriut.” (“Dritë e Pashuar” F. Gylen, botimi shqip, Tiranë 2004, faqe 352, 353)

Meditimi në namaz dhe prania afër Zotit, Dhurues të mirësive, ndikojnë pozitivisht që organizmi të përballojë streset që shkakton jeta, puna dhe marrëdhëniet me të tjerët. Namazi i kultivon besimtarit qetësinë, urtësinë, maturinë, besnikërinë, ndershmërinë dhe korrektësinë në punë, edukatën e komunikimit në familje e shoqëri, gatishmërinë dhe vullnetarizmin për të ndihmuar të tjerët, përkujdesjen për mjedisin, durimin dhe guximin në përballjen me vështirësitë e jetës. Kryerja e rregullt e namazit, e nxit dhe e motivon besimtarin të jetë produktiv në punë. Kushdo që e shijon namazin, përjeton qetësinë shpirtërore dhe përçon paqe e mirësi gjithkund në shoqëri.

Edhe dy detaje të rëndësishme që kanë të bëjnë me ndikimin frymëzues të Israsë dhe Miraxhit:

  1. Israja dhe Miraxhi ka frymëzuar edhe ndjekësit e traditave të tjera fetare. Rast tipik është ndikimi i saj në konceptimin e “Komedia Hyjnore” të Dante Aligerit. (Këtë në mënyrë të shkëlqyeshme e vëren orientalisti Miguel Asin Palacios në librin e tij “Eskatologia muslimane dhe Komedia Hyjnore”). Dante Aligeri çmohet prej kritikës për idetë e tij morale, si në Perëndim, ashtu edhe në Lindje. Me plot të drejtë, italianët e konsiderojnë Danten si poetin e tyre kombëtar dhe veprën “Komedia Hyjnore” si poemë të shenjtë. Në këtë vepër Dante ndërmerr një udhëtim imagjinar në Botën e Përtejme, në Ferrin dhe Parajsën. Studiues të ndryshëm lindorë, por edhe evropianë, kanë dhënë idenë se Dante Aligeri është mbështetur konsiderueshëm te rrëfimet e profetit Muhammed a.s. për ndodhinë e Miraxhit.
  2. Sigurisht që nuk mund të lihet pa përmendur se “Mi’raxhi” i pejgamberit Muhamed përbën udhëtimin e parë të njeriut në hapësirat qiellore. Ashtu si në çdo këndvështrim, social, kulturor dhe shpirtëror, pejgamberi Muhamed përbën një horizont për t’u arritur, edhe ky udhëtim-mrekulli në kufijtë e universit përbën një kulm drite që e fton njeriun për t’iu afruar. Pejgamberi Muhamed i ftoi njerëzit në besimin në një Zot të Vetëm dhe Krijues të Gjithësisë. Ai edukoi, jo vetëm tek bashkëkohësit e tij, por edhe në brezat e mëvonshëm e në mbarë njerëzimin, ndjenjën e meditimit për harmoninë në qiej e tokë, pasionin për të kërkuar diturinë kudo që të ishte. Kurani, libri që iu revelua nga Zoti pjesë-pjesë gjatë 23 vjetëve, fillon me urdhrin “Lexo me emrin e Zotit tënd, që krijoi (çdo gjë)!”Në kohën që Evropa kishte filluar të hynte në epokën e errët të Mesjetës, në Kuran publikohet projekt-ideja e shpresës për ta kthyer ëndrrën në realitet. Në kapitullin“er-Rahman” (“I Gjithëmëshirshmi”), Zoti iu drejton këtë thirrje krijesave inteligjente: “O grupimi i xhinëve dhe i njerëzve! Nëse keni mundësi të dilni përtej kufijve të qiejve e të tokës, depërtoni pra! Por ju nuk do të mundeni, përveç me fuqi (njohuri të thella dijesh dhe fuqi ekonomike e administrative).” Fill pas shpalljes së këtij ajeti kuranor ndodhi udhëtimi i pejgamberit Muhamed, për ta bërë sa më të prekshëm mesazhin hyjnor që ai mbart. Ky ajet dhe shumë të tjerë bënë që “njeriu i shkretëtirës” ta përfytyronte si një prej kënaqësive të botës së mrekullueshme të “njëmijë e një netëve” udhëtimin me qilim fluturues. Afro 200 vjet pas udhëtimit qiellor të Muhamedit dhe nën ndikimin frymëzues të ajetit kuranor, Abbas Ibn Fernas bëri përpjekjet e para për të fluturuar. Këto përpjekje vijuan, pas afro 800 vitesh, me Leonardo Da Vinçin. Dhe, më tej, me ndërtimin e avionëve, fluturimin rreth Tokës të Gagarinit, zbarkimin në Hënë etj. Sot, pas afro 14 shekujsh, shkenca vazhdon të synojë depërtimin në hapësirat qiellore. Dijetari islam Abdul Mexhid ez-Zindani polemizon me dyshuesit dashakeqë, të cilët, të entuziazmuar nga arritjet shkencore në fushën fluturimeve kozmike, pohojnë se kjo është goditje ndaj besimit në Zot. Nisur nga ajeti 33 i kapitullit “I GjithëMëshirshmi”, ai thekson se përkundrazi, pikërisht në këto arritje dhe të tjera, gjendet mrekullia e të Dërguarit Muhamed, si dhe vërtetimi i shpalljes në Librin e të GjithëDiturit. “…Prandaj, hapësira për pushtimin e gjithësisë nga njeriu është e hapur dhe atij i mbetet që të lëshohet në Hënë, Mars e planetë të tjerë… Kurani është i pari që lajmëron mbi mundësinë për “pushtimin” e gjithësisë, në kohën kur ka qenë e pamundur të flitet për pushtimin. Kjo është dëshmi e qartë se Kurani është nga Ai, i Cili di fshehtësitë e qiejve dhe të tokës.” (“Njëshmëria e Krijuesit” Abdul Mexhid ez-Zindani, f. 454, Prishtinë 1998)

Fluturimet e para, lëshimi i satelitëve, shkelja e njeriut në Hënë, studimi i drejtpërdrejtë i Marsit, studimi i sistemit tonë diellor e më gjerë, janë prova se njerëzimi, dashur pa dashur, ka ecur në rrugën e arritjes së horizonteve të mrekullive kuranore dhe të profetit Muhamed a.s. Kjo tregon saktësinë e Kuranit, çdo fjali e të cilit është një argument më vete. S’ka dyshim se Kurani është fjala e Zotit dhe se Muhamedi është i dërguari i Tij. Allahu është ligjvënësi Absolut, Ai e di të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen e kozmosit e të njeriut. E, për ta orientuar drejt njeriun, i dha Librin e Qartë-Kuranin. “Ai është plot argumente të qarta në zemrat e atyre që u është dhënë dituria. E, argumentet Tona nuk i mohon kush, përveç të shfrenuarve.”

Profetit i jepen dymbëdhjetë principet e Islamit, që përmenden në ajetet 22-39 të sures Isra:

Mos i bëni ortak Allahut.

Respektoni dhe bindjuni prindërve.

Jepuni te drejtën që u takon të afërmve, të varfërve dhe udhëtarëve.

Mos shpërdoroni. Mos jini koprracë e as dorëlëshuar.

Mos i vrisni fëmijët nga frika e varfërisë.

Mos iu afroni imoralitetit.

Mos vrisni njeri me pa të drejtë.

Mos abuzoni me pasurinë e jetimit.

Mbani premtimet.

Mos u shmangni prej drejtësisë në matje e peshim.

Mos ndiqni atë për të cilën nuk keni dijeni dhe përmbahuni nga pohimet e pabaza dhe hamendjet.

Shmanguni nga mburrja dhe mendjemadhësia.

Profeti Muhamed (a.s.) teksa kthehej nga Miraxhi tek populli i tij plot me dhurata, u shpreh: “Unë s’kam parë ndonjëherë gjë më të bukur se Miraxhi”.

 

 

 

 

Pin It