Në hapat e pionerit të kimisë moderne, Xhabir ibn Hajanit

Xhabir ibn Hajan, ka lindur rreth vitit 721 dhe ka ndërruar jetë rreth vitit 815 në fshatin Tus (në Iranin e sotëm). Ai u rrit në një familje ku kimia nuk ishte e panjohur, pasi babai i tij ishte farmacist. Kjo ka shumë të ngjarë të jetë shkaku kryesor i interesimit të tij për kiminë.

Ibn Hajani është padyshim një nga shkencëtarët më të mëdhenj muslimanë. Holmyard me të drejtë e cilëson atë si “Babai i Kimisë”. Sipas Holmyard, një nga aspektet themelore që Xhabir solli ishte zhvillimi i anës praktike të kimisë: kryerja e eksperimenteve. Xhabir theksoi rëndësinë e eksperimentimit si më poshtë: “Më thelbësorja në kimi, është që ju të bëni punë praktike dhe të kryeni eksperimente, sepse ai që nuk kryen punë praktike dhe as eksperimente nuk do të arrijë kurrë as shkallën më të ulët të mjeshtërisë”.

Vëmendja e Ibn Hajanit për saktësinë, e çoi në zbulimin e peshoreve, të cilat mund të peshonin me saktësi edhe 1/6 e një grami. Për atë, eksperimentimi me materien do të thoshte se ai mund të bënte përzierje, ngrohje, ftohje, të bluante e të piqte substanca të ndryshme. Imazhi tradicional i një vendi pune të një alkimisti i ngjante shumë një laboratori kimik i ditëve të sotme.

Për të kryer me saktësi eksperimentet e tij, ai shpiku lloje të ndryshme të enëve të reja, si retorti (Një enë qelqi me një qafë të gjatë, e përdorur në distilimin e lëngjeve dhe eksperimenteve të tjera kimike). Eksperimentet e tij me proceset e ndryshme kimike e lejuan që të zbulojë procese të tilla si reduktimi (një reaksion që përfshin fitimin e elektroneve) dhe ndoshta më e rëndësishmja: procesi i distilimit.

Dhjetë shekuj para se John Dalton (një fizikan dhe kimist britanik i cili u bë i njohur me teorinë e tij të atomit dhe teorinë e molekulave), Ibn Hajani zbuloi imazhin e lidhjeve kimike si një lidhje midis elementeve, pra grimca të vogla të padukshme me sy të lirë. Të gjitha pa humbur kuptimin e karakteristikave të tyre origjinale.

Ibn Hajani gjithashtu identifikoi shumë substanca të reja. Thuhet se ai zbuloi acide të forta, të tilla si acid sulfurik, acid klorhidrik dhe acid nitrik. Këto zbulime janë provuar të jenë me rëndësi të madhe për kiminë moderne, duke u bërë edhe thelbësore për industrinë kimike.

E fundit por jo më pak e rëndësishmja: Xhabir ibn Hajani gjithashtu hodhi themelet për atë që sot njihet si tabelë periodike e elementeve të Mendelejevit. Ai u përpoq të formonte një tabelë për të klasifikuar elementët kimikë, ashtu si Mendelejev. Kjo u bazua në idenë e lashtë greke për klasifikimin e elementeve në grupe metalesh, jo-metale dhe substanca që mund të distilohen. Në këtë mënyrë tabela e tij ngjante në një farë mënyre me tabelën moderne të elementeve, në të cilat mund të dallohen jo-metale dhe gazra.

Veprat e tij në fushën e kimisë përfshirë këtu edhe librat “Kitab al-Kimja” dhe “Kitab al-Sab’in” u përkthyen në latinisht në mesjetë. Përkthimi i “Kitab al-Kimija” u publikua nga anglezi Roberti i Cesterit në vitin 1144 dhe mori titullin “Libri i Përbërjes së Alkimisë”. Libri i dytë u përkthye nga i famshmi Gerardi i Kremonës. Anglezi Richard Russel përktheu dhe publikoi në vitin 1678 një tjetër libër të Xhabirit duke e titulluar atë “Shuma e Perfeksionit”. Vetem disa nga librat e tij jane redaktuar dhe publikuar, kurse shumë të tjera ruhen në gjuhën arabe.

Pin It