“Ne të kemi dërguar ty, mëshirë për gjithë botët!…”

Duke argumentuar teologjikisht, universaliteti i mesazhit të Profetit Muhamed (s.a.s), paqja dhe bekimi i Zotit qoftë mbi të, rrjedh nga koncepti i një Zoti i cili është Zoti i gjithçkaje, jo vetëm Zoti i myslimanëve. Zoti e përshkruan vetveten në kapitullin e parë të Kuranit, i cili recitohet nga të gjithë myslimanët në të gjithë botën në pesë faljet e tyre ditore; Ai është Zoti i të gjitha krijesave, ‘Rabbul-Alemin’. Pavarësisht se nëse njerëzit janë të ndërgjegjshëm ndaj këtij fakti apo jo, Zoti është Zot i gjithë qenies njerëzore, i myslimanëve, kristianëve, ateistëve etj, pavarësisht ekzistencës së ndryshimeve në mes tyre. Zoti është krijues i gjithçkaje pa përjashtim. Kurani deklaron se një yll gjigant dhe një atom janë sup më sup në të adhuruarit e të njëjtit Zot; një mizë dhe një elefant janë vëlla e motër; të gjitha krijesat janë këtu për të na ndihmuar të kuptojmë domethënien dhe misterin e universit.

Mëshira dhe dhembshuria përbën themelin e mesazhit të Profetit. Në deklaratën e fillimit që vendoset para 113 kapitujve të Kuranit, të quajtur Besmele, Zoti përshkruhet si i tillë me dy atribute. “Mëshiruesi dhe Mëshirëbërësi”. Ky postulat është bërë simboli i Islamit. Vargjet Kuranore thonë: “Muhamed, ne të kemi dërguar ty mëshirë për të gjitha botët (rahmeten lil alemin)”. (Enbija, 21:10).

Jeta personale e Profetit Muhamed (s.a.s) u bë një pasqyrim i këtij vargu Kuranor, të qenurit i mëshirshëm ndaj të gjitha krijesave. Në marrëdhëniet me njerëzit, ai gjithmonë qeshte dhe asnjëri nuk dëgjoi një herë një fjalë të keqe nga goja e tij. Në jetën e tij familjare, ai tregoi të njëjtën mëshirë ndaj grave të veta. Shoku i tij, Enes ibn Malik, që me besnikëri i shërbeu atij për 10 vjet, u bë dëshmitar i kësaj mëshire, duke thënë që kurrë nuk mori ndonjë qortim për shërbimin, pavarësisht gabimeve të tij.

Predikimi i tij i Lamtumirës në fushën e Arafatit, ka gjithashtu një aspekt të mrekullueshëm të universalitetit të këtij mesazhi. Në këtë predikim ai foli për gratë, marrëdhëniet mes racave, për skllevërit. Rreth këtyre të fundit ai tha: “Kini frikë Allahun në marrëdhëniet tuaja me skllevërit.” Në fakt, në sajë të mesazhit të Muhamedit, në harkun e 30 viteve pas vdekjes së tij, ishte e vështirë të gjeje një skllav në Arabi. Vargjet Kuranore qartësisht theksojnë: “O njerëz! Ne ju kemi krijuar ju nga një mashkull dhe një femër dhe ju ndamë në fise e kombe që të njiheni me njëri-tjetrin. Më i miri mes jush është ai më i devotshmi.” (Huxhurat, 49:13). Në predikimin e tij të fundit, ai e theksoi këtë aspekt të mesazhit të tij. Ai tha se i gjithë njerëzimi vjen nga Ademi dhe Havaja, një arab nuk ka epërsi ndaj një joarabi, dhe një joarab nuk ka epërsi ndaj një arabi. Gjithashtu një i bardhë nuk ka epërsi mbi një të zi dhe një i zi nuk ka epërsi ndaj një të bardhi. Për më tepër, në lidhje me femrat ai tha: “Është e vërtetë që ju keni disa të drejta ndaj grave tuaja, por ata gjithashtu kanë të drejta ndaj jush.” Në mënyrë të suksesshme Profeti përcaktoi një ndjenjë përgjegjësie dhe ndërgjegjeje në mendjet dhe zemrat e njerëzve të tij.

Burimi: profetimuhamed.info

Pin It