Nëna e pashoqe e besimtarëve

Hz. Aishe (r.anha) ishte vajza e Hz. Ebu Bekër (r.a) dhe gruaja e Profetit tonë të nderuar (s.a.s). Përveçse gruaja, ajo ishte edhe një ndihmëse e veçantë për të Dërguarin e Allahut pas hixhretit (emgrimit) në Medine, kur nevojat për të punuar në shërbim të fesë ishin shumë të mëdha.

Hz. Aishe (r.anha), ishte një urë lidhëse mes kohës së Profetit (s.a.s) dhe të ardhmes së fesë Islame. Allahu i Plotfuqishëm e kishte pajisur me një zgjuarsi dhe madhështi të jashtëzakonshme. Ajo kishte një natyrë kureshtare dhe nuk e pranonte verbërisht çdo gjë që dëgjonte. Madje ishte kritike ndaj tyre, nëse ato nuk ishin sipas kritereve të Kur’anit dhe Sunetit të Profetit (s.a.s).

Hz. Aishe (r.anha), përfaqësoi vitalitetin e shpalljes gjatë gjysmë shekullit pas ndërrimit jetë të Profetit tonë të nderuar dhe nuk i privoi kurrë nxënësit e saj nga rruga e profetësisë. Ajo ishte burim i dijes për të gjithë. Prej saj merrnin dije jo vetëm kalifët, por edhe një numër i madh njerëzish të cilët, ose e vizitonin personalisht, ose dërgonin mesazhe me anë të letrave.

Dijetarët e mençur, të tillë si Hakimi, kanë thënë se një e katërta e volumit të njohurive fetare është transmetuar te ne nëpërmjet Hz. Aishe (r.anha). Duke treguar inteligjencën dhe peshën e saj tek njerëzit, Hz. Ebu Musa el- Eshariu (r.a) ka thënë: “Si sahabë të të Dërguarit të Allahut, sa herë që hasnim ndonjë paqartësi, ne menjëherë rendnim për tek Aishja, sepse ajo ishte aq e ditur, sa na jepte zgjidhje për çdo vështirësi.”[Tirmidhi]

Ka thënë Ata ibn Ebu Rebahu për hz. Aishe (r.anha): “Aishja ishte më e zgjuara, një njeri plot dije, si dhe kishte grumbulluar mendimet dhe opinionet më të mira prej njerëzve.” Ndërsa Hisham ibn Urve ka thënë: “Unë nuk kam parë askënd më të përgatitur se Aishja në shkencat mjekësore, fik’h dhe poezi.” Ndërsa Imam Mesruku ka thënë: “Unë kam parë sahabet më të afërt të të Dërguarit të allahut (s.a.s) të pyesnin Hz. Aishe për detyrimet ligjore që lidhen me ndarjen e trashëgimisë.” [Hakim, Mustedrek]

Në lidhje me interpretimin e Kur’anit (shkenca e Tefsirit) dimë që interpretuesi më i madh ka qënë Profeti (s.a.s), por dy nga transmetuesit më të mëdhënj kanë qenë Abdullah ibn Abbasi (r.a) dhe hz. Aishe(r.anha), duke treguar kështu rëndësinë e saj si interpretuese. Veçantia e saj në interpretimin e Kur’anit qëndronte tek afërsia që kishte pasur ajo me të Dërguarin e Allahut.

Për shkak të afrimiteti të saj me Profetin (s.a.s), ajo ka qenë burimi i vetëm në shumicën e informacioneve që ka transmetuar. Ajo e kishte dhomën ngjitur me xhaminë e Profetit kështu që dëgjonte çdo ligjeratë të mbajtur dhe shpeshherë është gjendur në momentet kur të Dërguarit të Allahut i ka ardhur shpallja Hyjnore. Numri i haditheve të rrëfyera nga hz. Aishe (r.anha)  që vinin drejtpërdrejtë nga goja e të Dërguarit të Zotit është mbi 2000 mijë, duke e bërë kështu pjesë  e mukthirunëve (ata që kanë transmetuar shumë hadithe) e jo vetëm ajo ka qenë dhe një oratore shumë e mirë dhe ka qenë mësuese e shumë prej sahabeve duke u bërë mësuesja e parë femër në historinë e Islamit.

Burimi: “Aishja, nëna e pashoqe e besimtarëve.”

Pin It