“Ngadhënjimi mbi harresën; në 105-vjetorin e lindjes së Sabiha Kasimatit”

Në Muzeun Historik Kombëtar u organizua dje një takim shkencor-social mbi shkencëtaren Sabiha Kasimati.

“Një pasdite në muze”, solli në vëmendje këtë herë temën: “Ngadhënjimi mbi harresën; në 105-vjetorin e lindjes së Sabiha Kasimatit”.

Ishin netët e errëta kur “Gaz”-et e Sigurimit të Shtetit të rrëmbenin nga shtrati i gjumit pas mesit të natës për të të çuar kush e di se ku. Kështu ndodhi dhe natën e 20 shkurtit të vitin 1951. Shpërthimi i një bombe në territorin e Legatës së ish-Bashkimit Sovjetik, që ishte atashuar në Tiranë, e bëri shtetin shqiptar të asaj kohe të shpërthente në një valë të egër spastrimesh. Viktimat e radhës ishin 21 intelektualë të cilët mendohej se bënin pjesë në kontingjentet e politikës anti-staliniste, e që do të akuzoheshin për një akt të pabërë prej tyre. Në këtë valë spastrimi u akuzua dhe pushkatua pa gjyq edhe një femër, Sabiha Kasimati, e vetmja shkencëtare shqiptare e atyre viteve.

Sektori i Menaxhimit të Koleksioneve në bashkëpunim me sektorë të tjerë organizoi këtë takim shkencor-social me një natyrë periodike, për të përkujtuar figura të shquara të historisë dhe të letërsisë shqiptare, ballkanike dhe europiane që kanë shkruar dhe kanë kontribuar për evidentimin e vlerave kulturore. Në këtë veprimtari ishin të pranishëm dhe të ftuar, akademikë, studiues e miq, studentë dhe dashamirës të fushave të ndryshme.

Sipas përgjegjësit të sektorit të Menaxhimit të Koleksioneve, Ledio Xhoxhi, i cili moderoi këtë sesion, tema në fjalë kishte si qëllim njohjen e pjesëmarrësve me shkencëtaren e parë shqiptare, kontributin e saj për shkencën dhe si rrjedhojë për të gjithë shoqërinë shqiptare.

Në fjalën e tij drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dorian Koçi tha se “Sabiha Kasimati ishte jo vetëm shkencëtare, por edhe personalitet i kompletuar. Jeta dhe vepra e saj ndriçon më shumë se kurrë sot dhe na mëson si një iluministe e vërtetë, se njeriu është i detyruar të përcjellë dritë dije e diturie për brezat e rinj. Ideologjia sunduese në Shqipëri ishte Stalinizmi dhe ai u aplikua në të gjitha format e hapura të tij. Një nga tiparet kryesore të tij ishte eliminimi i elitave përmes terrorit të kuq dhe zëvendësimi me elitat e formuara me karakter ideologjik komunist. Spastrimet ndaj inteligjencës shqiptare nuk u ndalën asnjëherë”.

Në këtë sesion foli dhe Uran Butka, drejtor i Institutit të Studimeve “Lumo Skëndo”, i cili mbajti kumtesën: “Ngjarja e 26 shkurtit 1951 – Pushkatimi i Sabiha Kasimatit dhe 21 martirëve, një akt terrorist”.
Gjithashtu pjesëmarrës ishte edhe Agron Tufa, Drejtor i Institutit të Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, i cili mbajti kumtesën: “Aspekti ligjor-juridik për dënimin e fajtorëve në tragjedinë e Sabiha Kasimatit”. /ATA/

Pin It